Mbyllet Kuvendi, Meta: Keqardhje për bojkotin e PD

04.05.2017 16:42:42

Kuvendi i Shqipërisë mbylli sot punimet. Seanca që shënoi dhe shpërndarjen e parlamentit aktual për t’i hapur rrugën zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit,  u zhvillua pa praninë e opozitës.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, teksa bëri bilancin katërvjeçar të Kuvendit, veçoi reformat e rëndësishme të miratuara, ndërsa theksoi nevojën e miratimit të ligjit të Vettingut për të zhbllokuar reformën në drejtësi.

Meta shprehu keqardhjen që Kuvendi nuk arriti të përfundojë reformën zgjedhore.

Ai shprehu keqardhjen për mungesën e deputetëve të djathtë.

“Besoj se kush më shumë e kush më pak, sipas mundësive apo dhe axhendave politike, u përpoqëm t’i japim qytetarëve një paketë të rëndësishme legjislative, që do t’i shërbejë hapjes së negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Jam i keqardhur të shoh në këtë seancë mungesën e kolegëve të opozitës, por kur ka vullnet ka mundësi për të rikthyer normalitetin dhe dialogun politik për çështjet që duhet të përballojmë së bashku. Megjithatë, kjo panoramë e padëshirueshme nuk mund të zbehë punën voluminoze që kemi bërë gjatë këtyre 4 viteve”, tha Meta.