Më 2018 u dërguan për rivarrim mbetjet mortore të 45 personave të zhdukur gjatë luftës

27.12.2018 14:40:02

Gjatë vitit 2018 në Kosovë janë bërë gërmime vlerësuese në 14 lokacione, ku në dy prej tyre janë gjetur mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës, ndërsa janë rivarrosur mbetjet mortore të 45 personave të pagjetur.

Kështu u deklarua gjatë takimit të fundit për vitin 2018 të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, me ç’rast u prezantua një përmbledhje e aktiviteteve të komisionit gjatë vitit që po lëmë pas.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se gërmimet janë kryer nga ekspertët mjekoligjor të Institutit të Mjekësisë Ligjore, e gjatë këtyre gërmimeve kanë ftuar edhe palën serbe si vëzhgues.

“Shqetësues mbetet rezultati nga këto lokacione, që do të thotë se nga 14 lokacione vetëm dy kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të të paktën gjashtë personave. Po flas për numrin minimal, meqë vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme të ekzaminimeve ligjore dhe proceduarve të analizave të ADN-së, mund të konfirmohet numri i saktë i individëve apo personave të zhvarrosur dhe identiteti i tyre”, ka thënë Gara.

Ai tregoi se po ashtu gjatë këtij viti, disa familjeve u janë dorëzuar mbetjet mortore të 45 rasteve, ndërsa ka njoftuar se janë regjistruar edhe dy raste të reja të personave të pagjetur me kërkesë të familjarëve.

Ndërkaq, mbetjet mortore të paidentifikuara dhe mungesën e informacionit të besueshëm, Gara i ka konsideruar si sfidat e vitit 2018 të këtij grupi punues.

“Sfidë kyçe në proces e theksova, pos mbetjeve mortore të paidentifikuara është edhe mungesa e informacioneve të besueshme, që do të thotë se një nga aktivitetet kyçe te objektivat e planifikuara gjatë këtij viti ka qenë përpjekja për të siguruar informata të cilat do të na ndihmonin në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur”, ka thënë Gara.

Ndërsa Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se asnjë aktivitet i tyre nuk mund të konsiderohet i rëndësishëm derisa të gjenden personat e zhdukur gjatë luftës.

Ai po ashtu ka kritikuar disa media që gjatë raportimit rreth këtij komisioni, theksin e lajmit e kishin vënë te buxheti i ndarë nga qeveria. Sipas tij, kjo i lëndon familjet e prekura, e me këtë rast është zotuar se qeveria do të ndajë edhe miliona euro për zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur.

“Nëse është puna te mjetet, Qeveria e Kosovës jo 25 mijë, por do t’i japë 25 milionë nëse duhet, nëse dikush garanton që me këto 25 milionë ne do të kemi rezultate. Titulli nga takimi dhe raportimi në Komisionin Parlamentar që janë dhënë 25 mijë euro, 25 mijë euro janë dhënë për çështje organizative logjistike se nga një mijë euro për një shoqatë janë qesharake që mund ta bëjë dikush ndonjë zbardhje të fatit me 1000 euro. Shumica e shoqatave nuk kanë kushte elementare për funksionim, prandaj kërkesa ka qenë që t’i ndihmojmë. Kështu që mediat i lus të jenë pak më të kujdesshme që të mos preken familjarët”, ka thënë Lluka.

Gjatë takimit të këtij komisioni është njoftuar se në vitin 2018 ka vazhduar faza e “Projektit të trajtimit profesional të rrobave dhe artefakteve të personave të pagjetur”, gjatë së cilit janë trajtuar edhe 570 sete të rrobave dhe artefakteve.

Ky projekt, i cili kishte filluar në vitin 2017, pritet të përfundojë në vitin 2019, me ç’rast Gara ka thënë se mund të krijohet një lloj muzeu me këto gjësende, në përkujtim dhe nderim të personave të pagjetur.

Ndryshe, gjatë këtij viti Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur ka mbajtur shtatë takime të rregullta.

Aktivitetet e këtij komisioni gjatë vitit 2018 kanë qenë të ndryshme, por me synimin e vetëm të zbardhjes së rasteve të personave të pagjetur të luftës. Disa nga to kanë qenë konferenca rajonale, gërmime vlerësuese në Kosovë e Serbi, shënimi i ditës së Personave të Pagjetur dhe nënshkrimi i Planit Kornizë Rajonal për adresimin e çështjes së personave të pagjetur.