“Me këtë dokument po dialogojnë partitë – Marrëveshja duket e largët”

08.08.2016 20:52:35

Liderët mund të mos jenë pranishëm sikur të premten e 5 gushtit, por dhe këtë javë do te ketë takim mes pesë partive kryesore në Kosovë.

Dialogu, që tash e sa kohë  po zhvillohet larg syve të mediave,  nën organizimin e organizatave jo qeveritare, Demokracisë  për Zhvillim edhe Grupit për Politikat e Ballkanit, dhe me mbështetje nga dy ambasada të huaja, veç ka nisur të marrë formë.

Tani ekziston një udhërrëfyes, si draft propozim, të cilin e ka Klan Kosova, e ku subjektet politike pajtohen të vazhdojnë paralelisht dialogun në tri tema.

Nën A janë temat që kërkojnë konsensus, sikur që është një rivlerësim i shpejtë i ujdisë për demarkacionin me Malin e Zi, krijimi i një udhërrëfyesi të ri për dialogun me Serbinë, si dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në gjithë këto tema, të konfirmuara edhe nga organizatorët, sipas politologut Ramush Tahiri, partitë vështirë se do ta të gjejnë konsensusin e kërkuar.

Vetë përfaqësuesit e partive pas takimeve, kanë thënë se janë përafruar mes vete për çështje të ndryshme, por se ka tema sikur demarkacioni ku pozita dhe opozita janë shumë të ndara.

Ndërsa për ndërkombëtarët që janë gjithnjë pjesëmarrës në dialogun ndërpartiak, politikanët thonë se momentalisht nuk e kanë asnjë këshillë për kosovarët.