Me kursin e ndihmës së shpejtë ishte shtirur si mjeke, misionarja amerikane akuzohet për vdekjen e foshnjave në Ugandë (Video)

04.07.2019 13:28:23

Misionarja amerikane po akuzohet se ishte paraqitur si infermiere dhe se me këtë ka rrezikuar vdekjen e të paktën dy foshnjave në Ugandë, shkruan CNN.

Renee Bach dhe organizata e saj religjioze jofitimprurëse “Serving His Children” që e ka themeluar kohë më parë, po akuzohet nga gjykata e Ugandës për shkak se “ka drejtuar një institucion shëndetësor” pa leje, transmeton Telegrafi.

Atë po e akuzojnë nënat e foshnjave të vdekura, Gimbo Zubedi dhe Kakai Anet, por edhe organizata “Women’s Probono Initiative” që promovon të drejtat e grave në Ugandë.

Sipas WPI-së, Zubeda dhe Anet pretendojnë se Bach është shtirur si “mjeke”, dhe se në objektin e saj në Jinja të Ugandës është parë duke u shfaqur në mantel të bardhë duke bartur edhe stetoskop dhe shpesh u përshkruante ilaçe fëmijëve.

Në seancën dëgjimore kanë dëshmuar dy ish-punonjëse të organizatës së saj, që gjithashtu pretendojnë se kishin besuar se Bah është mjeke.

David Gibs III, avokati i Bach, ka deklaruar para gazetarëve se si “ajo kishte punuar një kohë të gjatë me ekspertë shëndetësor të Ugandës, dhe se ka mësuar shumë gjëra rreth asaj se si duhet ofruar ndihma e parë”.

Në akuzë thuhet gjithashtu se për shkak të veprimet të Bah dhe organizatës së saj kanë humbur jetën “qindra fëmijë”. E ish-shoferi i kësaj organizate Carls Ovengy, ka deklaruar se kishte punuar për tetë vite dhe se “çdo javë ka transportuar nga shtatë deri në dhjetë fëmijë”.

Ai pretendon se çdo familje që ka humbur një anëtar të familjes është kompensuar me një shumë të parave dhe një thes me miell, duke shpresuar se me këtë veprim do të ngushëllohen familjet e viktimave.