Me nxënësin e dalluar dhe futbollistin-kapitenin e Klubit “SV Husten 09” të Arnsbergut

31.12.2017 14:03:20

Jusuf Bytyçi

Reshit Ahmet Kastrati, fëmija i pestë i prindërve Ahmet dhe Habibe Kastrati, i lindur më 20 prill 2007, në Gjermani, pas katër vajzave. Lindja e tij, pati gëzuar shumë jo vetëm prindërit e tij dhe familjen Kastrati, por edhe të gjithë shokët dhe miqtë në Kosovë, Gjermani e gjetiu.

Qysh si nxënës në klasët e ulëta të fillores, pos mësimeve, ka dëshmuar zell dhe afinitet të lartë edhe për sportin, respektivisht për futbollin. Krahas mësimeve dhe sukseseve në shkollë, Reshiti, që nga viti 2011 luan futboll.

Ai tash është futbollist goxha i njohur në mërgatë, ka numrin 6, si dhe është kapiten i Klubit “SV Husten 09” të qytetit Arnsberg. Në këtë ekip, krahas Reshitit janë edhe tre shqiptarë të tjerë, nga Kosova dhe një nga Shqipëria. Për këtë angazhim, ai dhe shokët e tij, kanë edhe mbështetjen e familjeve të tyre, ndërkaq, të gjitha shpenzimet e aktiviteteve sportive, ua heq Klubi, i përfaqësuar nga qyteti. Deri më tash, sukseset e tij, janë në vazhdën e rrugëtimit të shkëlqyeshëm, drejt arritjeve të majës së futbollit profesionist.

Reshit A. Kastrati, si junior, ka fituar të drejtën e regjistrimit në Gjimnaz, në shkollën “Franz-Stock-Gymnasium 5-A”.

Ai ka fituar kupa e mirënjohje të shumta! Reshiti, në ditët e fundit të këtij viti, duke ua uruar të gjithë shqiptarëve Vitin e Ri 2018, tregon me vendosmëri se nuk do të ketë dështime as në mësime dhe as në futboll! Përkundrazi, ai shprehet për rezultate sa më te mëdha, duke menduar që të bëhet futbolist me nam!

Edhe ne e urojmë Reshitin që rruga e tij jetësore, të ketë rezultate të pandalshme, që të ketë realizim të të gjitha dëshirave dhe synimeve!

Legjenda: Reshit A. Kastrati, gjatë aktiviteteve sportive