Me rastin e katër vjetorit të kalimit në amshim: Kadri Osmani organizator i shkëlqyer dhe trim i grupeve ilegale dhe gjithnjë në ballë të shokëve

Nga Xhafer Leci

Me nderim të madh përkujtojmë 4-vjetorin e ikjes në amshim të mikut tim në mërgatë, Magjistër Kadri Osmani-Mani, ish burgosur politik shumëvjeçar në burgjet e ish-Jugosllavisë.
Këtu po sjell diskutimin tim me rastin e ceremonisë së varrimit dhe 2 fotogarfi, si dhe 3 fotografi tjera nga Akademia përkjutimore në Gjermani.
MIKU IM I DASHUR KADRI MANI!

Vij nga mërgata për të të dhënë lamtumirën e fundit, baca Kadri. Përfaqësoj shumë shokë e miq Tuaj mërgimtarë, të cilët, në pamundësi për të qenë të pranishëm fizikisht në përcjelljen Tënde mortore, me mendje e zemër janë këtu, në mesin tonë.

Ju ishit një shok dhe mik i mirë, pothuajse, i të gjithë mërgatës. Një demonstratë në Gjenevë, Bon, Paris, Vjenë e Bruksel, Ju ishit aty, në mesin e mërgimtarëve të shumtë. Një protestë para Parlamentit Evropian, para Këshillit të Evropës, Ju ishit aty. Një grevë urie e vëllezërve Kuzhnini me shokë, në një kishë të Brukselit, Ju vinit nga Zvicra, për t`u solidarizuar me ata, për t`ju dhënë forcë e kurajo këtyre burrave të Kosovës, që kishin ardhur nga Kroacia enkas për të zgjuar ndërgjegjen e fjetur të Evropës plakë. Ju ishit i kudondodhur për lirinë e Kosovës.

Baca Kadri të thërrisnin të gjithë. Të nderonin dhe të respektonin në tribuna politike e kulturore, në festa dhe morte. Dëgjonin fjalën Tënde të artë dhe të zjarrtë. Kadri Osmani (Mani) kaloi lavdishëm në amëshim. Mësuesi veteran, pishtar i arsimit në Kosovë, me një përkushtim të madh edukativ e pedagogjik, për ta prosperuar arsimin në Kosovën tonë. Njeri i fjalës dhe i pendës, me një seri botimesh, gjatë periudhës kohore për gjysmë shekulli. Veteran markant i burgjeve jugosllave, i cili zë vendin e dytë, pas Adem Demaçit, në kohëzgjatje të vuajtjeve të dënimeve.

Baca Kadri ishte qendresëtar i pashoq. Gjithmonë dinjitoz, rezistent dhe kurrë nuk u përkul para pushtuesit serbo-sllav. Organizator i shkëlqyer dhe trim i grupeve ilegale dhe gjithnjë në ballë të shokëve, të cilët vinin nga Vuthajt e Gucisë, Istogu, Prishtina, Gjilani, nga e tërë Kosova. Tre gjyqe, në kohë të ndryshme, u organizuan kundër Kadri Osmanit me shokë. Dhe, ishte gati të priste edhe gjyqe e ndëshkime të tjera, për lirinë e Kosovës.

Lirinë e shumëpritur e gëzoi dhe tani luftonte, me fjalë dhe pendë, për demokracinë dhe shtetin ligjor të Kosovës. Por, iku i zhgënjyer dhe me pengun e madh se shqiptarët e Kosovës, gjegjësisht, kasta drejtuese, u dha pas shpërdorimit të pushtetit dhe vjedhjes të shtetit të tyre, të Kosovës, Atdheut tonë të përbashkët. E dhimbshme, por, mjerisht, krejt e vërtetë. Ne, shokët, bashkëveprimtarët, miqtë Tuaj të shumtë të mërgatës, do ta ruajmë, përjetësisht, kujtimin e mirë për Ju dhe zotohemi se do të punojmë dhe luftojmë për realizimin e idealeve të larta kombëtare, për të cilat Ju nuk pushuat deri në frymëmarrjen e fundit. Lavdi jetës dhe veprës madhështore të mikut tonë të mirë Kadri Osmani (Mani). Flej i qetë, në tokën e shenjtë të Kosovës tonë, o shok, mik e vëlla, baca ynë i papërsëritshëm!