Me shkëmbim territoresh, shqiptarët do të ricopëtoheshin edhe si popull, edhe si territor

07.08.2018 12:26:42

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi qysh në vitet e para të pasluftës, nëpërmjet studios serbe B92 kishte paralajmëruar mundësinë e të ashtuquajturit shkëmbim territoresh, përkatësisht këtë e kishte paraqitur si synim të Serbisë.

Në anën tjetër, Rexhep Qosja qysh në janar të vitit 1999 kishte deklaruar se serbëve të Kosovës do t’ua njihte të drejtën për vetëvendosje.

Në këtë mënyrë është mëse e qartë, dhe  këtë e kam thënë në vazhdimësi, se linja e Tiranës/Kretës është në Kosovë për të realiziar ndarjen e Kosovës sipas interesave të Serbisë.

Ndërkohë koncepti i presidentit Rugova për kompromisin ishte pavarësia e Kosovës, e që do të thoshte se ai ishte kundër çdo pazari tjetër që do ta cenonte qoftë funksionalitetin e shtetit, qoftë edhe tërësinë territoriale të tij.

Konceptet e tilla si shkëmbimi i territoreve, e drejta për vetëvendosje të serbëve në Kosovë etj., në fakt janë koncepte që legjitimojnë dhe mundësojnë realizimin e skenarëve të hershëm serbë, që hapin rrugë për ricopëtim të territoreve shqiptare në Ballkan etj.

Shkëmbimi i territoreve, është një mënyrë e kamufluar e ndarjes së Kosovës, e në të cilën kjo e fundit do të dilte humbëse e madhe, kurse Serbia fituese e madhe.

Vetë debatet për shkëmbim territoresh janë një fitore politike, diplomatike, morale dhe shtetërore për Serbinë, pasi që ka arritur që nga një shtet agresor, gjenocidal në Kosovë, të hyjë jo si e barabartë në pazare të tilla, por si superiore, pasi që është ajo që po dikton tema dhe po imponon situata.

Siç ka thënë edhe vetë Vuçiq, edhe nëse një metër e merr nga Kosova, është fitore, sepse po fiton territor në dëm të Kosovës, e kur të shtrohet çështja në nivel të të ashtuquajturit shkëmbim territorial, atëherë Serbia do të jetë fituesja  e madhe, e Kosova humbësja e madhe.

Në aspektin praktik, Serbia do të merrte një pjesë të Kosovës, e cila është e pasur jo vetëm me “Trepçën”, por edhe me pasuri të tjera minerare ende të paeksploatuara, do të merrte Ujmanin dhe do të mbante një pozitë gjeostrategjike të përshtatshme dhe me mundësi kontrolli në rajon, kurse Kosova do të merrte Preshevën, e me pak gjasa Bujanovcin, por jo edhe Medvegjën e spastruar nga shqiptarët. Serbia me kohë e ka spastruar etnikisht Medvegjën në afërsi të të cilës gjenden rezerva të mëdha të arit dhe të mineraleve të tjera të çmueshme.

Pra, hileja e të ashtuquajturit shkëmbim territoresh është se përveçse territoret shqiptare ricopëtohen, Serbia merr pjesët e pasura, jashtëzakonisht të pasura, kurse lë disa shkurre dhe dhe disa shkëmbinj të pavlerë dhe që nuk i hynë fare në punë.

Në aspektin e së drejtës ndërkombëtare, vetë shtrimi i çështjes së shkëmbimit të territoreve si mënyrë për ndryshimin e kufijve ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, është një fitore tjetër e Serbisë, e cila në këtë mënyrë hap rrugën për rishikim të kufijve me shtete të tjera, e në mënyrë të veçantë me Bosnjën, ndaj të cilës ka ambicie të forta territoriale, përkatësisht shkëputjen e Republika Srpska-s.

Në këtë mënyrë, Serbia po arrin të krijojë Serbinë e madhe edhe me ndoihmën e pakursyer të Kosovës, përkatësisht të rekrutëve shqiptarë të agjenturave kundërshqiptare dhe të strukturave mafiozo-politike shqiptare, por edhe me mbështetjen rajonale, sidomos të qeverisë së shtetit aktual shqiptar, e cila po vazhdon atë që ka nisur Fatos Nano më 1997.

Zgjidhja është platforma e presidentit Rugova, e cila përveçse e koncepton pavarësinë e Kosovës si zgjidhje kompromisi, ka sugjeruar autonomi politiko-territoriale për Kosovën Lindore, pra për territorin shqiptar në Serbi, përkatësisht të tri komunat.

Edhe interesi i vetë shqiptarëve në Kosovë Lindore është që të kërkojnë nga dy shtetet, madje të imponojnë një qasje të tillë që kjo pjesë të gëzojë autonomi të plotë politiko-territoriale, dhe vetëm pasi që Serbia, Kroacia dhe të tjerë të ndryshojnë kufijtë, ose të bëjnë përpjekje të ndryshojnë kufijtë e Bosnjës, atëherë të ndodhë bashkimi me Kosovën.