Mediat serbe: Amerika ka planifikuar 4 miliardë investime në Serbi

22.09.2020 12:38:55

Realizimi i njërës prej pikave më të rëndësishme të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar në Uashington, fillon sot në Serbi, me mbërritjen e delegacionit të Korporatës Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar Amerikan (DFC) të udhëhequr nga CEO Adam S. Boehler.

Bisedimet me zyrtarët serbë, të cilat do të pasojnë në katër ditët e ardhshme, duhet të specifikojnë gjithçka në lidhje me hapjen e zyrës rajonale të DFC në Beograd.

DFC ka një fond investimesh prej gjithsej 60 miliardë dollarë amerikanë dhe një pjesë e atyre parave do të derdhen në Serbi, përmes realizimit të projekteve të parashikuara nga marrëveshja nga Uashingtoni. Janë planifikuar investime të reja prej gati katër miliardë dollarësh, të cilat do të investohen kryesisht në ndërtimin e autostradave dhe hekurudhave që lidhin Serbinë me Kosovën, shkruan gazeta serbe Novosti.

Për drejtorin e të ashtuquajturës zyre për Kosovën, Marko Gjuriq, ardhja e DFC dhe Grenellit është një tregues i sigurt se marrëveshja ekonomike nga Uashingtoni po zbatohet me shpejtësi të vetëtimës:

“Dera po hapet për një kapitull të ri në marrëdhëniet amerikano-serbe, kryesisht në ekonomi. Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të mbrojnë stabilitetin e hapësirës në të cilën ata investojnë, nuk do të jetë e lehtë të përsëriten situatat e dy apo tri dekadave të kaluara në marrëdhëniet tona, të cilat duam t’i shmangim me çdo kusht”.

Marrëveshja nga Uashingtoni për Beogradin ka disa elemente të rëndësishme, beson Gjuriq, dhe përveç ardhjes së DFC, me rëndësi është gjithashtu “heqja nga agjenda e njohjes së Kosovës dhe vendosja një moratorium një vjeçar për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, pretendon Gjuriq duke “harruar” të përmendë se moratoriumi vlen edhe për Serbinë për aktivitetin e saj në çnjohje të Kosovës dhe pengim të njohjeve të reja.

Gjuriq gjithashtu pretendon se është shumë e rëndësishme “që Kosova nuk do të jetë në gjendje të bëhet anëtare e UNESCO-s”, sepse historianët shqiptarë po bëhen gjithnjë më të zhurmshëm në “përvetësimin e kishave dhe manastireve serbe në Kosovë”.