Mediat serbe: Haradinaj nuk mund të ekstradohet në Shqipëri

26.04.2017 10:59:49

Fakti se Ramush Haradinaj ka marrë shtetësinë nga Shqipëria nuk është thelbësor për procesin në Colmar, kanë thënë për mediat serbe nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë.

Kjo për faktin se, sipas tyre, Haradinaj nuk mund të ekstradohet në Shqipëri, vetëm për shkak se ai mori shtetësinë e atij vendi, sepse kjo nuk është një bazë për të kërkuar ekstradimin.

Gjykata e Apelit në Colmar, Francë, nesër, pas dy shtyrjeve pritet të marrë vendimin mbi kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Ramush Haradinajt.

Ndryshe, Haradinaj, i cili po mbahet në ndalim në shtetin francez, nga 4 janari i këtij viti në bazë të aktakuzave të vitit 2004 nga shteti serb, akuzohet për kinse krime të kryera ndaj komunitetit serb dhe atij rom.