Mediat serbe sjellin “tri konkluzionet ruse për arrestimin e Gjuriqit”

27.03.2018 16:15:15

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Chepurin, ka vazhduar me siç thonë mediat serbe “solidaritetin me popullin serb në Kosovë dhe presidentin e Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili u arrestua dhe u dëbua nga policia e Kosovës”.

Në këtë drejtim, përcjell Telegrafi, Chepurin thuhet se ka tri përshtypje në lidhje me “kaosin e djeshëm”.

 

“Tri përshtypjet e sulmit të djeshëm në Mitrovicë: uniforma e tmerrshme e zezë, arroganca, kërcënimi i armëve; Është e qartë se Prishtina ka punuar me pajtimin e plotë të sponsorëve të saj dhe Brukseli tregoi paaftësi si një ndërmjetës dhe garant”, ka shkruar ambasadori rus në profilin e tij në Twitter.

Mediat serbe rikujtojnë edhe një deklaratë të diplomatit rus të hënën, i cili kishte deklaruar se ajo që ndodhi dje në Kosovë, ishte një provokim i Prishtinës.

Gjuriq u arrestua dje në një takim në veri të Mitrovicës. Më pas ai u transferua në Prishtinë, ku u mor në pyetje dhe pastaj u dëbua në Serbi.