Mediat serbe: Trump dhe Putin do të takohen në Beograd!

19.01.2017 11:51:07

Takimi historik ndërmjet dy personaliteteve më të fuqishëm në botë, pritet të mbahet në kryeqytetin serb, Beograd.

Kjo së paku do të ndodh, nëse u besohet medieve serbe, të cilat i kanë dhënë bujë një lajmi të tillë.

Ka qenë portali serb “Kurir” i cili ka shkruar rreth këtij lajmi, duke theksuar se detajet e takimit do ti publikojnë në versionin e shtypur të gazetës, gjatë ditës së enjte.

“Takimi historik i dy politikanëve më të fuqishëm në botë, ndërmjet sapo të zgjedhurit president i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ka të ngjarë të jetë i organizuar në mes të Beogradit”, shkruan Kurir.

“Negociatorët këmbëngulin se takimi do të zhvillohet në Beograd duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira mes Serbisë dhe Rusisë, por edhe me Perëndimin”, ka shkruar më tej ky portal.

Gjithsesi mediat e huaja kanë shkruar se një takim i tillë ka shumë të ngjarë të ndodhë në Astana të Kazakistanit, takim për të cilin autoritetet ruse i kanë dërguar tashmë ftesën presidentit të ardhshëm amerikan.