Megjithë vërejtjet e Trumpit, miratohen sanksionet kundër Rusisë

26.07.2017 08:57:08

Dhoma Përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara me shumicë bindëse të votave, mbrëmë i ka forcuar sanksionet e reja kundër Rusisë, përkundër vërejtjeve nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Ligjvënësit kanë votuar me 419 vota për dhe vetëm 3 kundër, ndërsa ky legjislacion është mbështetur fuqishëm nga republikanët e Trumpit dhe demokratët.

Tash pritet që ky legjislacion të kaloj edhe në Senat, e pastaj t’i dërgohet Shtëpisë së Bardhë për nënshkrim nga presidenti Trump.

Të dy dhomat pritet se kanë numër të mjaftueshëm të votave për ta mbizotëruar veton e mundshme të presidentit ndaj këtij legjislacioni, me të cilin, po ashtu, imponohen sanksione të reja kundër Iranit dhe Koresë Veriore.

Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese, Paul Ryan, tha pas votimit se pakoja e sanksioneve “i shtrëngon bulonat në armiqtë tanë më të rrezikshëm me qëllim që Amerika të mbahet e sigurt”.

Pas votimit, Shtëpia e Bardhë tha se “derisa presidenti i mbështet sanksionet e ashpra kundër Koresë Veriore, Irani dhe Rusisë”, ai po e shqyrton këtë legjislacion dhe po pret ta ketë versionin final, që kalon në Senat, para se të vendos për ta nënshkruar ose për t’i dhënë veto.

Këto sanksione janë pritur me kritika nga Rusia dhe nga disa aleatë amerikanë në Bashkimin Evropian, që kanë tërhequr vërejtjen se sanksionet do të ndërhyjnë në projektet kryesore energjetike në Evropë.