Meholli: Me 14 rastet e fundit, numri i rasteve aktive në Komunën e Vushtrrisë shkon në 62

01.06.2020 22:07:36

Në Komunën e Vushtrrisë sot janë paraqitur 14 raste të reja me coronavirus.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Sylejman Meholli ka thënë për RTV Dukagjinin se rastet e reja janë raste kontakti kryesisht nga fshati Stanoc.

Meholli ka përsëritur atë që më parë kishte shkruar kryetari Tahiri se pakujdesia e qytetarëve në fund të Ramazanit dhe gjatë ditës së Bajramit ka ndikuar në përhapjen e këtyre rasteve.

“Në bazë të dhënave në Komunën e Vushtrrisë janë 62 raste aktive me COVID-19. Janë disa familje në izolim përfshirë edhe dy profesionistë shëndetësorë”, tha ai

Drejtori i Shëndetësisë ka thënë se qytetarët të kenë kujdes me lehtësimin e masave pasi sipas tij në këtë kohë menaxhimi i pandemisë është më i vështirë se më parë.