Mejë pellg amësie/ Poezi nga Naxhije Doçi

28.04.2020 09:57:44
Në hartë një pikë fare mikroskopike,
në shikim një fushë e madhe
sa vetë zemra jonë,
sa vetë ëndrrat tona
për shlyerje ndryshku nga buzët,
dhe shporrje errësire nga dheu jetik.
-Mejë pellg amësie
me përshtypje kohësh
malet roje që nga legjendat.
Në shpërthim rrebeshesh
namur nga jehu i thellësisë
blatimi dritë per rrezatim shprese.
-Helmetat serbe të skëterrës
ndanë katërqind lule të gjakut tim
nga kalvari i gjatë sa biblizmi i robërisë.
Si i trajtuan dhe kah i çuan, enigmë.
-Dëshmitarët sy e gojë mbyllur
përtej gardhit të dhembjes dëbuar,
mjegullnaja tis në shlyerje kujtimesh.
-Në Mejë dielli shndrit sërish
në ngrohje ëndërrash të thyera
të shqiponjave në fluturim.
-Mbi ograja e suka bjeshkësh
sërish bulojnë lulekuqet si gjaku
për ta përtërirë jetën
hapin për ta zënë me kohën.
-Secili la një gjurmë për shijen e lirisë
shekujsh kallur etjeje për të.
-Kënga e ndezur si shokë ylberi
ka ende plagë zemre
me mall pritjesh me shpresa
për kthim burrash
në përtëritje të plangut.
-Eshtra lidhur në plasmaste
Ishte shpërblimi i vonuar.
-Fushë e Mejës krejt gropa-gropa
në shenjtërim martirësh nga pavdekësia
Sarkofagët në vellon kuq e zi
qetësojnë zjarminë e tokës së djegur
pagëzuar “Lëndina e lotëve”.
-Muret patjetër do të mbajnë këtë herë
ngjizur për rrënjë legjendash.
Nga libri me poezi: “Kohë flakadanësh të lirisë”  2012