Melihate Termkolli kërkon nga Thaçi ta rikthejë në Kuvend Ligjin për Obiliqin

Melihate Termkolli kërkon nga Thaçi ta rikthejë në Kuvend Ligjin për Obiliqin

10.12.2016 15:28:58

Deputetja e LDK’së, Melihate Termkolli ka kërkuar nga Presidenti i Shtetit, Hashim Thaçi të kthejë në Parlament Ligjin për Obiliqin me arsyetimin se një dokument i tillë është diskriminues pasi nuk përfshinë të gjitha zonat e ndotura aty.

Letra e plotë:

Presidentit të Republikës së Kosovës

Z. Hashim Thaçi

Prishtinë, 09.12.2016

I nderuari z. President!

Kuvendi i Republikës Kosovës ka miratuar Ligjin për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, 05/L-044 me dt.30.11.2016.

Ndonëse është pretenduar që me këtë ligj të rregullohet ҁështja e zonës së rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, në fakt kjo materje rregullohet vetëm pjesërisht.

Ligji në fjalë del të jetë diskriminues dhe si i tillë i papranueshëm.

Për më tepër Ligji është kontradiktor brenda vetes, gjë e cila paraqet bazën diskriminuese.

I nderuari z. President!

Duke pasur parasyshë kompetencat të cilat ua jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, paraqes kërkesë që Ligjin për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, 05/L-044, ta ktheni për rishqyrtim në Kuvend.

Të dhëna për Ligjin, me të cilat konfirmohet diskriminimi dhe kontradiktat në ҁështjen që rregullon:

Ekziston shpërputhje e madhe mes “zonës së rrezikuar mjedisore” dhe “burimit të ndotjes”.

Amandamenti 4, pika 1.10. “Burim i ndotjes” konsiderohen: Mihjet sipërfaqësore; Gropat e mihjeve, Grumbujt e hirit dhe thëngjillit; Termocentralet; Deponitë e mbeturinave.

Amandamenti 6, “Zona e rrezikuar mjedisore përfshinë rrezen në distancë ajrore deri pesëmijë (5.000) metra nga pika në mes dy termocentraleve në Obiliq”.

Arsyetim: Zona në distancë ajrore deri pesëmijë (5.000) metra, lë jashtë rregullimit dhe përfshirjes në ligj shumë vendbanime dhe hapësira në Komunën e Fushë Kosovës, të cilat janë rrëzë të gjitha burimeve të ndotjes të parapara me këtë ligj (përvec Termocentraleve që e kalon rrezen prej pesëmijë metra).

Banorët e këtyre vendbanimeve dhe hapësirat në to ( Bardh i Madh, Lismir, Qendra Fushë Kosovë, Miradi e Ulët, Kuzmin, Vragoli etj) janë të rrezikuar njësoj, në mos edhe më tepër se vendbanimet që sipas ligjit hyjnë në zonën prej pesëmijë metra.

Me respekt,

Melihate Tërmkolli, Deputete