Memli Krasniqi nuk do të futet në garën për kryetar të Prishtinës (Video)

08.12.2016 23:55:08

Në RTV Dukagjini u transmetua emisioni i radhës “Komiteti Qendror”, prodhim i Gazetës Express. I ftuar ishte Memli Krasniqi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ministër i Bujqësisë.

Në emision ai ka folur për kandidimin e mundshëm të tij për kryetar të Prishtinës.

Ai ka thënë se këtë opsion nuk e ka menduar, por iu është përgjigjur sondazheve të realizuara, në të cilat qytetarët kanë thënë se Krasniqi do të ishte kundërkandidat i denjë i kryetarit të tanishëm të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Krasniqi shprehet se e ka testuar përkrahjen e madhe që e gëzon nga prishtinasit edhe më parë, kur ka dalë si asamblisti më i votuar në nivelin lokal, dhe njëri ndër deputetët më të votuar në nivelin qendror. Por, megjithatë nuk planifikon të garojë për kryetar të komunës së Prishtinës.

Nënkryetari i PDK-së ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme lokale beson që partia e tij do të zgjedh një kandidat të denjë për ta marrë qeverisjen e kryeqytetit.