Memli Krasniqi tregon arsyen e mospërfshirjes së tij në kabinetin qeveritar

10.09.2017 14:45:27

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se tash e një kohë ka konsideruar se i duhet të bëjë një shkëputje nga angazhimi në Qeveri për t’u fokusuar në detyrën e deputetit.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka uruar Qeverinë e re dhe ka thënë se beson se veçanërisht disa nga ministrat do të arrijnë të ndryshojnë gjendjen për të mirë.

Ky është shkrimi i plotë i Krasniqit:

Të dashur miq,

Dje është votuar Qeveria e re dhe këtë herë unë nuk do të jem pjesë e kabinetit qeveritar. Ka kohë që kam konsideruar se më duhet të bëj një shkëputje nga ekzekutivi, për t’u fokusuar në legjislativ gjatë këtij mandati, kur pritet që beteja kryesore politike të zhvillohet pikërisht në Kuvendin e Kosovës.

Qeverisë së re dhe ministrave të rinj ju dëshiroj punë të mbarë dhe pres prej tyre që të fillojnë punën menjëherë, sepse kemi humbur mjaft kohë. Kam besim, veçanërisht në disa prej tyre, që do të arrijnë të ndryshojnë për të mirë gjendjen e rënduar në disa prej sektorëve të rëndësishëm.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata kolegë që për shumë vjet kemi bashkëpunuar dhe jemi munduar bashkë që t’i adresojmë sfidat e shumta, si në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ashtu edhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time më të thellë për anëtarët e kabinetit tim, për këshilltarët e mi, pa të cilët nuk do të mund të shënoheshin sukseset e shumta në fushat për të cilat kemi pasur përgjegjësi ndër vite. Jam i sigurt se shumë prej tyre do të vazhdojnë t’i shërbejnë vendit me nder dhe me përkushtim, pavarëisht detyrave që do t’i kenë në të ardhmen. Falënderoj edhe secilin zyrtar të administratës që ka kryer obligimet e veta me zell dhe me përgjegjësi.

Ka shumë të arritura, pa dyshim, por jam i vetëdijshëm se ka ende shumë punë për t’u bërë. Dhe për të arritur progres edhe më të madh, na duhet angazhim maksimal, përkushtim dhe punë konkrete e secilit person që ka përgjegjësi institucionale. Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim edhe si deputet, për të avancuar tutje të gjitha fushat që janë prirotete për qytetarët e vendit tonë.

Ju faleminderit