Memorandumi për bashkëpunim ndërmjet MASH-it dhe UEJL-së

04.05.2017 17:03:10

Në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu dhe rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Zamir Dika, nënshkruan sot Memorandumin për bashkëpunim mes këtyre dy institucioneve.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti i Evropës Juglindore, siç thuhet në kumtesë, përmes interesit të përbashkët, thellojnë bashkëpunimin e tyre duke siguruar arsim pasdiplomik, ku Ministria është e gatshme të ndajë bursa studentëve të pranuar në programin e përbashkët pasdiplomik për Studime Evropiane, në bashkëpunim me Universitetin e Lubjanës, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në lëminë e Studimeve Evropiane.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim, Universiteti i Evropës Juglindore nënshkroi edhe me Ministrinë e Republikës së Kosovës ku ishte i pranishëm edhe ministri Arsim Bajrami. Ministri Lutfiu, theksoi se ky bashkëpunim do të japë frytet e veta duke pasur parasysh se UEJL është një universitet lider në rajon, aq më tepër kur bëhet fjalë për studime evropiane, ku si Maqedonia ashtu edhe rajoni pretendojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe në të njëjtën kohë institucionet arsimore janë ato që promovojnë vlerat Evropiane dhe u japin mundësi studentëve që të realizojnë përpjekjet e tyre nëpërmjet programeve të këtilla.