Menaxheri i Hysajt: Ja kush e pengoi kalimin te Chelsea

04.08.2018 12:46:30

Elseid Hysaj mund të ishte një lojtar i Chelsea tashmë, nëse nuk do të ishte për këmbënguljen e Napolit për ta mbajtur në “San Paolo”. Lajmin e bëri të ditur vetë menaxheri i futbollistit, Mario Giufreddi në një intervistë në mediat italiane, ku theksoi se mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte pranë transferimit në “Stamford Bridge”.

Ai tregoi se palët ishin në bisedime të avancuara, por Napoli nuk e lejoi shkodranin që të largohej nga nënkampionët e Italisë, pasi e shikonte si një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Sipas Guifreddit, edhe vetë Sarri kërkonte që ta kishte Hysajn te blutë e Londrës por nuk arriti ta shkëpuste dot nga klubi italian. Menaxheri i mbrojtësit kuqezi foli edhe për rinovimin e kontratës së Hysajt, teksa bëri të ditur se nuk ka nxitim për të gjetur një marrëveshje të re me Napolin.

Aktualisht Elseidi ka dhe dy vite kontratë me Napolin, por gjithsesi duhet të jetë klubi ai që duhet të këmbëngulë që futbollisti të rinovojë, edhe pse Giufreddi theksoi se ai dhe futbollisti janë të gatshëm të ulen në bisedime që në këto momente.