Mercedes dominon në Bahrein, Bottas merr pole position

15.04.2017 17:35:05

Piloti finlandez Valtteri Bottas ka qenë më i shpejti sot në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Bahrein, që u zhvilluan në pistën e Sakhir, duke marrë “pole position”. Finlandezi i Mercedes dha kohën 1’28”776, duke lënë pas shokun e skuadrës Lewis Hamilton (i dyti), që u befasua nga kjo kohë e Bottas. Çka do të thotë që dy makinat gjermane do ta nisin garën e nesërme nga vija e parë e startit, me Bottas pretendent dhe që hyn fuqishëm në garën për titull. Ndërsa në vendin e tretë u rendit piloti gjerman i Ferrarit, Sebastian Vettel, që nuk arriti të ishte aq i shpejtë sa dje, në provat e lira, duke lëshuar vijën e parë të startit.

Kjo është hera e parë për Bottas që merr “pole position” në karrierën e tij, duke befasuar të gjithë me paraqitjen e bërë sot në pistë. Një e shtunë fanatstike për finlandezin, që la pas të gjithë rivalët, përfshi edhe shokun e tij të skuadrës. Këtë herë, dominimi Mercedes-Ferrari u thye nga Daniel Ricciardo, që me makinën Red Bull zuri vendin e katërt, duke lënë pas Kimi Raikkonen (i pesti) me njëvendëshen tjetër Ferrari. Në vendin e gjashtë u rendit Max Verstappen (Red Bull) e pas tij Nico Hulkenberg (Renault), Felipe Massa (Williams), Romain Grossjean (Haas) dhe Joleyn Palmer (Renault). Gara nesër do të nisë në orën 17:00 dhe zhvillohet me drita

Më herët u zhvilluan dy sesionet e tjera të provave. Në përfundim të sesionit të parë të provave zyrtare u eliminuan Carlos Sainz (Toro Rosso), Stofel Vandoorne (McLaren), Sergio Perez (Force India), Marcus Ericsson (Sauber) dhe Kevin Magnussen (Haas). Ndërsa në përfundim të sesionit të dytë, makinat e skualifikuara janë Daniil Kvyat (Toro Rosso), Lance Stroll (Williams), Pascal Wehrlein (Sauber), Esteban Ocon (Force India) dhe Fernando Alonso (McLaren). Ky i fundit nuk zbriti fare në pistë gjatë sesionit të dytë. Në të dyja këto sesione, më i shpejti ka qenë Lewis Hamilton me Mercedes. /telesport.al/