Mërgimtarët janë gjaku ynë që ka dhënë gjithçka për Kosovën

11.07.2018 09:49:48

Nga Rexhep Kastrati

Muajt e verës janë muajt kur mërgimtarët tanë vijnë në Kosovë. në dashurinë dhe dhimbjen e tyre për të cilën kanë bërë aq shumë: që nga organizimi politiko-institucional, i luftës dhe i rindërtimit të vendit e deri edhe në sakrificën sublime për çlirimin e saj.

Të gjithë e pranojnë se po të mos ishin mërgimtarët, do të ishte shumë e vështirë të organizohej lëvizja liri, pavarësi, demokraci, lufta, por edhe rindërtimi i vendit. Mirëpo, kontributi i mërgimtarëve është edhe më i gjerë, edhe më madh se kaq, pasi që ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në aspektin diplomatik, pasi që kanë realizuar kontakte diplomatike me qeveri të shteteve ku janë, kanë lehtësuar kontaktet edhe të përfaqësuesve shqiptarë me ato qeveri, por edhe kanë kontribuar edhe në shpalljen e paavrësisë shqiptare më 1912, dhe të Kosovës, më 1991, përkatësisht 2008.

Shumë shqiptarë kanë lënë jetën e mirë, të lirë, të qetë në shtete të ndryshme dhe kanë ardhur për të lufutuar për Kosovën, e një pjesë kanë rënë në altarin e lirisë.

Ndërkohë individë të ndryshëm të papërgjegjshëm kanë keqpërdorur skajshmërisht dashurinë, mallin dhe dëshirën e mërgimtarëve për të ndihmuar Kosovën dhe në emër të saj, pra të Kosovës, i kanë eksploatuar financiarisht, thjesht i kanë trajtuar si të ishin banka parash.

Megjithatë, mërgimtarët nuk duan asgjë tjetër nga Kosova, veç të mos harrohet kontributi i tyre, që t’u krijohet mundësi dhe siguri që kapitalin që kanë krijuar jashtë të mund ta investojnë në Kosovë, që t’u krijohen kushte që lidhja me Kosovën të jetë më e lehtë qoftë për ta, qoftë edhe për fëmijët e tyre.

Themelimi i ndonjë departamenti në çdo nivel të pushtetit në Kosovë që do të merrej veç me mërgimtarët, të cilët edhe kohën e qëndrimit në Kosovë e kanë të shkurtër, është një punë që duhet bërë.

Kur duan të rregullojnë dokumente, kur duan të regjistrojnë fëmijë apo kur duan të kryejnë punë të tjera, mërgimtarët heqin të zitë e ullirit në aspektin e procedurave dhe jo vetëm.

Ministria e Diasporës është bërë thjesht një institucion për pazare politike, për të rehatuar militantë të ndryshëm, por jo për diçka konkrete për mërgimtarët.