Merkatoe Napolit sillet rreth Hysajt

21.02.2017 18:15:49

Kjo verë parashikohet të jetë e nxehtë për Elseid Hysajn. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka përfunduar në lupën e klubeve më të njohura europiane dhe sipas gjasave do të zgjedhë pikërisht pas përfundimit të sezonit se ku do të vazhdojë karrierën e tij që me shumë gjasa do të jetë larg Napolit.

Kjo vjen edhe nga fakti se merkatoja e këtij klubi varet pikërisht nga vendimi i Hysajt. Klauzola në kontratën e mbrojtësit është 50 milionë euro dhe me një shifër të tillë, Napoli do të ishte në gjendje të bënte përforcime të tjera të ndjeshme në kontingjentin aktual.

Fakti është që klubi ka bllokuar që tani edhe pasardhësin e mbrojtësit shqiptar, 22-vjeçarin e Atalantës, Andrea Konti. Të dy lojtarët menaxhohen nga i njëjti person, Mario Xhiufredi dhe sigurisht që ky i fundit do të jetë shumë i lumtur të sistemojë diku tjetër Hysajn, për t’i bërë vend Kontit te Napoli, transmeton Panorama.

“Xhiufredi nuk do të bënte kurrë një autogol si ai i dërgimit të dy mbrojtësve të djathtë në të njëjtën skuadër. Ndaj pritet të shihet se çfarë do të bëjë Hysaj”, shpjegoi dje eksperti i merkatos italiane, Alfredo Pedulla.

Sipas zërave në mediat ndërkombëtare gjatë muajve të fundit, për Hysajn ka interesim nga emra shumë të njohur si Barcelona, Atletiko Madrid, Çelsi, Mançester Siti apo edhe Bajern Mynih, të cilët janë të gatshëm të bëjnë oferta për mbrojtësin e djathtë.