Angela Merkel në Zagreb: Të hapen sa më shpejt negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

20.11.2019 22:56:05

Kancelarja gjermane Angela Merkel dëshiron konsensus sa më të shpejtë me Francën për reformimin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Këtë ajo e tha të mërkurën në Zagreb, pas një takimi me homologun e saj kroat, Andrej Plenkoviç.

“I mbështesim planet e qeverisë kroate për të organizuar një konferencë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor në formatin e plotë Bashkimit Evropian. Dhe do të jetë e rëndësishme që ne të krijojmë kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, deklaroi kancelarja gjermane.

Duke pasur parasysh propozimin e ri të qeverisë franceze për reformimin e procesit të zgjerimit, Merkel tha se “Ne tani duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar , që duhen ndryshuar, në procesin e zgjerimit. Jemi të gatshëm të bisedojmë, edhe pse qysh sot kemi një numër të madh mundësish për të qenë fleksibël”.

Shefja e ekzekutivit gjerman shtoi më tej se reformimi i zgjerimit “duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale anëtarësimi”. Ajo paralajmëroi se reformimi nuk duhet të ketë si pasojë BE-ja të tërhiqet nga premtimet e bëra.

Kancelarja gjermane ndodhet në Zagreb për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore të Evropës, duke përfaqësuar kryetaren e partisë së vet, Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila është duke përgatitur kongresin e CDU-së, që do të zhvillohet të premten, 22.11. në Lajpcig.