Merkel pret Macron në Berlin: Gati të ndryshojmë marrëveshjet e BE

15.05.2017 22:30:05

“Duam të zhvillojmë një rrugë të përbashkët. Ekziston një bindje e përbashkët që nuk mund të merremi vetëm me Brexit, por duhet të mendojmë edhe për Europën”.

Kështu është shprehur Angela Merkel gjatë takimit dy palësh me presidentin e ri francez Emmanuel Macron. “Projektet mbi sistemin fiskal mund të japin një impuls për Unionin”, – ka shtuar ajo. Pastaj të dy u shprehën të gatshëm për idenë e një ndryshimi të marrëveshjeve evropiane për të reformuar Eurozonën.

“Kemi rënë dakord që do të punojmë së bashku në mënyrë të ngushtë, – shpjegoi Merkel, – edhe pse e dimë që në një moment shumë kritik të BE, duhen marrë vendimet e duhura”.

Edhe për Macron “është vendimtare forcimi i aksit franko-gjerman”, që sipas tij “do të ishte i vlefshëm edhe për euro-zonën”.

Marrëdhënieve Francë-Gjermani, sipas kreut të ri të shtetit francez u duhet dhënë “një dinamizëm i ri. Franca do të jetë një aleat i drejtë dhe konstruktiv. Suksesi i dy vendeve tona është i lidhur ngushtë dhe kjo nga kjo gjë varet ecuria e Bashkimit Europian”.

Macron ka nënvizuar që “së bashku mund të realizojmë projekte afat-mesme dhe duhet të nisim një rrugë të përbashkët për Europën. Duhen reforma të thella, por edhe përqendrim dhe vullnet për të dhënë menjëherë kontributin”.

Ai shpjegoi që traktatet evropiane “mund të ndryshohen nëse është e nevojshme”, duke kujtuar që “modifikimet e traktateve kanë qenë një tabu franceze, por për mua nuk është”, – u shpreh shefi i Elizeut.