Merovci: Intelektualiteti i Rugovës e ka mposhtur Millosheviqin

19.02.2017 09:11:21

Me shallin rreth qafës në shenjë nderimi për të, me fotografi të tij në sirtar e me një libër voluminoz të shkruar për jetën e tij, Adnan Merovci, bashkëpunëtori më i afërt i ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, sjell shumë të pathëna për veprimtarinë e karakterin e Rugovës.

Si njeri i urtë, me aftësi të shumta intelektuale, me një karakter të fortë e optimizëm të thellë, Ibrahim Rugova ndihmoi në trasimin e rrugës drejt pavarësisë së Kosovës.

Me kontributin e strategjinë e tij politiko-paqësore, Rugova arriti ta “lëkundë” edhe karakterin e ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Kështu tregon Adnan Merovci, ish-shefi i sigurimit të presidentit Rugova.

Ai në një bisedë ekskluzive për “Zërin” sjell shumëçka që lidhet me karakterin e Rugovës, me veprimtarinë e tij politike, qëndrimet e tij në Rambuje, qëndrimet e tij karshi UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s e deri te dobësitë e shakatë e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Në takimin që ai kishte pasur me Millosheviqin në Beograd, në kohën e bombardimeve, kishte kërkuar prerazi plotësimin e kërkesave të NATO-s dhe ndaljen e luftës.

Ndërkohë, gjersa tregon për këtë takim shoqëruesi i ish-presidentit thotë se Rugova kishte arritur ta “mposhtte” Millosheviqin. Me armën më të fortë – fjalët.

“Madje-madje, në këtë rast Millosheviqi ka qenë goxha inferior në këtë takim dhe intelektualiteti i Rugovës e ka mundur Millosheviqin. Nëse ai në këtë takim i ka sharë të gjithë liderët botërorë, në raport me Rugovën e ka pasur njëfarë inferioriteti”, shton më tutje ai.

Edhe pse si udhëheqës i Kosovës atë kohë Rugova nuk e kishte përkrahjen e pothuajse askujt për një pavarësi, ai asnjëherë nuk i humbi shpresat.

“Optimist i papërmirësueshëm ka qenë Rugova, të gjithë ne pesimistë që nuk i kemi besuar. Për këtë arsye Rugovës i atribuohet çështja e vlerave e meritave për pavarësi”, shton më tutje Merovci gjersa thotë se fakti që ish-presidenti nuk ishte pjesë e shpalljes zyrtare të pavarësisë nuk e zbeh aspak kontributin e tij karshi këtij synimi.