Merren në pyetje të arrestuarit nga Serbia në Malin e Zi (Video)

16.10.2016 17:24:02

Në Prokurorinë Speciale ka filluar marrja në pyetje e personave nga Serbia, të arrestuar në territorin e Malit të Zi.

Më herët, drejtori i Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, Sllavko Stojanoviq, ka konfirmuar arrestimin e 20 personave nga Serbia, ndërkohë që për një tjetër Policia është në kërkim me dyshimin se “në territorin e Malit të Zi kanë kryer vepër penale të krijimit të organizatës kriminale” dhe vepër penale të “terrorizmit”.

Në kumtesën e Policisë thuhet se “ata, siç dyshohet, kanë hyrë në Mal të Zi dhe kanë pasur për qëllim që fillimisht të marrin pushkë automatike dhe pastaj që sonte të kryejnë sulme në institucionet e shtetit, Policinë dhe pjesëtarët e organeve shtetërore, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e sulmeve mbi zyrtarët e lartë shtetërorë. Drejtoria e policisë në lidhje me këtë zhvillim, në përputhje me procedurën, i ka dorëzuar prokurorisë informatën e planifikuar për opinion”.

Sipas informatës së publikuar, por të pakonfirmuar, në krye të grupit është ish-shefi i Xhandarmerisë së Serbisë, Bratislav Bata Dikiq.

Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se nuk ka asnjë shënim për arrestimin e një grupi paraushtarak kriminal në Mal të Zi. /REL/