Merret në pyetje pronari i fabrikës ku humbi jetën 17-vjeçari

02.07.2018 20:27:48

Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka marrë në pyetje pronarin e Fabrikes në të cilën humbi jetën 17 vjecari Seldin Aliu.
Prokurori i rastit, Metush Biraj në një telefonatë për T7 tha se hetimet janë në një fazë nuk mund të dilet me një konstatim nëse ka pasur lëshime nga ana e kompanisë.

Biraj po ashtu thotë se deri tani nuk ka asnjë të arrestuar dhe po pritet që Inspektoriati i Punës të dalë me një raport që do të tregonte qartë për kushtet e punës në të cilat punonte 17 vjeçari.

E sa është e lejueshme që një 17 vjeçar të punojë, Inspektoriati i Punës nuk ka një përgjigje definitive ende.

Për kushtet e punës, T7 ka kontaktuar edhe pronarët e kompanisë Sat Styro, mirëpo nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ata.

Seldin Aliu, 17 vjeçar, i cili humbi jetën në vendin e punës vetëm pas 10 ditësh punë, ishte djali i vetëm i familjes dhe po punonte për t’u shkolluar.

Ndërkohë, që ligjërit familjarëve të tij nuk u takon as të marrin dëmshpërblim nga kompania, pa iniciuar procedura gjyqësore.

E Seldini u bë viktima e 6 deri tash këtë vit, që humbi jetën në vendin e punës. Përkundër numrit të madh të viktimave, Kryeshefi i Inspektoratit të Punës thotë se po punohet që këto raste të zvogëlohen.

Seldini humbi jetën pasi makina për prerjen e stiroporit e tërhoqi atë brenda gjatë kohës sa po punonte.