Mes mjeksisë së pasukseshme dhe tendencës që fëmijët tanë ti bëjmë me doemos mjek!

03.06.2018 03:39:24

Nga: Thëllëzë Kastrati

Diku para 10 vitesh një person i afërt i imi u trajtua në neurologji në Prishtinë. Pas disa ditësh trajtimi, pasi që gjendja ishte e rëndë, u transferua në repartin intenziv. Meqë reparti intenziv është repart në të cilin pacientët nuk kanë nevojë për familjarët e tyre për tu kujdesur për ta, për shkak se ka mjaft persona që i japin kujdes profesional, unë po prisja që të vinin të më merrnin dhe të kthehsha në shtëpi në Prizren. Më ra të prisja aty disa orë. Meqë kisha qëndruar për një kohë në spital nuk e kisha problem të qëndroja dhe për pak kohë brenda atij reparti. Nuk më dukej diçka e jashtëzakonshme.

Në dhomën ku prisja ishte dhe një pacient tjetër, një mashkull i cili nga pamja e jashtme dukej se ishte afër të 50-ve. Ai e kishte të vendosur atë pajisjen për furnizim me oksigjen. Edhe pse isha shumë e re në atë kohë, kishte filluar të më interesonte neurologjia, dhe duke dëgjuar bisedat e mjekeve ne spital përpiqesha dhe unë të gjeja disa shenja për të kuptuar se çfarë sëmundje kishin personat e shtrirë atje, ndonjëherë dhe bisedoja me ta dhe më tregonin për sëmundjen e tyre. Në atë repart kjo ishte e pamundur, por megjithatë unë po e shikoja pacientin e shtrirë aty me po të njëjtin qëllim. Pas pak kohësh ai filloi të lëvizte kokën dhe pajisja me të cilën furnizohej me oksigjen ju largua pak nga hunda dhe goja. Ai vazhdonte ta lëvizte kokën duke bërë përpjekje ta kthente në vend, pasi e po e shihja se nuk e bënte dot, dhe për shkak se e dija se sa e ndjeshme është situata e pacientëve në atë repart unë shkova dhe i thirra infermieret, personat që supozohej se duhej të kujdeseshin tërë kohën për pacientët, në një repart ku nuk u lejohej kujdestar tjetër nga familja. Por në kohën që ndodhi kjo ato po pinin çaj. Më thanë të prisja, do të vinin kur ta përfundonin.

Patën dy zgjedhje, ta linin çajin të priste, ose pacientin. Nëse do e linin çajin të priste ai mund të ftohej, ndërsa nëse e linin pacientin të priste ai mund të vdiste. Infermieret e një reparti të tillë zgjodhën ta linin të priste pacientin. Deri kur ato erdhën, ai vdiq…

Nëse e analizojmë nga aspekti psikologjik, mund të themi se infermieret që punojnë në një repart të tillë janë adaptuar me vdekjet e pacientëve për shkak të vdekjeve të shpeshta që ndodhin në atë repart. Pra mënyra se si ato e perceptonin atë që ndodhi ishte ndryshe nga ajo e imja. Por megjithatë kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka se si e perceptojnë familjarët, të paktën duhet të kishte…Gjithsesi për mendimin tim adaptimi në një nivel aq të lartë sa ta lësh pacientin të vdes vetëm se ty të pihet çaj është i pamundur, më shumë është papërgjegjësi, mungesë empatie, përbuzje e vlerave të jetës së një njeriu si dhe përbuzje e profesionit.

Por pse po shkruaj për këtë?

Për një njeri, e sidomos për një fëmijë (ashtu si isha unë në atë kohë) është e pamundur ta harrojë një ngjarje të tillë, madje mund të ndikoj dhe në jetën e mëvonshme të personit (ashtu si ka ndikuar edhe në timen). Por mu bë më e freskët në mendje këto ditë, për shkak se isha për një hulumtim në shkollat e mesme, pikërisht në fundin e vitit shkollorë. Mësimdhënësit ishin shumë të stresuar nga prindërit që bënin çmos që fëmijët e tyre të merrnin nota pa meritë. Kjo vërehej në gjimnazin e shkencave natyrore e shoqërore, por më shumë në shkollën e mesme të mjeksisë. Kishte prindër që silleshin nëpër shkollë duke kërkuar që fëmijëve të tyre tu rriteshin disa nota të dobëta. Nxënës që i flisnin me zë të larë mësimdhënësve të tyre dhe u kërkonin tua falnin notat. Por ajo që më bëri përshtypje më shumë ishte një profesoreshë e cila sapo kuptoi që unë dhe kolegia ime që po bënim hulumtimin ishim studente të psikologjisë erdhi dhe tha se kishte nevojë të fliste. Dukej që ishte stresuar aq shumë, nga prindër me pozita të larta udhëheqëse që kërkonin që fëmijëve të tyre tu falej nota, dhe nuk kërkonin që nga nota 4 tu bëhej 5, por tu të përmisoheshin nga gjashtë apo shtatë 1-sha që kishin për të arritur që ta kalojnë vitin. Ajo thoshte se kërkonin që nxënës të tillë të marrin diplomë të shkollës së mesme të mjeksisë, dhe më pas ankohen për nivelin e mjeksisë në Kosovë.

Niveli i mjeksisë në Kosovë është me të vërtetë për të të ardhur keq, dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse mjeksia jonë është në këtë gjendje. Ndoshta përderisa po e lexon këtë po mendon që nuk do kërkoje kurrë që fëmija yt ta kalonte vitin nëse kishte një sukses të tillë. Kështu mendoj dhe unë, ndoshta kështu mendojmë të gjithë ne. Megjithatë ne duam që fëmija ynë të bëhet mjek patjetër. Çfarë kuptimi ka po pati sukses në mësime dhe nuk u bë mjek?! Këtu fillon gabimi ynë. Ne nuk përpiqemi që të ndihmojmë fëmijët tanë të gjejnë profesionin që pëlqejnë dhe në të cilin do të ishin të suksesshëm, por këmbëngulim që ata të bëhen mjekë. Dhe në rastet kur nuk këmbëngulim ne përsëri e shohim mjeksinë si profesionin ideal, duke i nënvlerësuar dukshëm profesionet e tjera, dhe ua imponojmë fëmijëve tanë këtë zgjedhje. Një zgjedhje e tillë e profesionit në shumicën e rasteve ka për pasojë mossukses, dhe në këto raste, ne, ata që i shtymë të bëjnë këtë zgjedhje do të shfrytëzojmë çdo mundësi që kemi që “t’i ndihmojmë”, dhe sigurisht që do bëjmë disa thirrje, lutje, kërkesa, ose edhe kërcënime po qe e nevojshme, vetëm për tua falur notat. Nëse ne kemi sukses, pra e shohim se kjo po funksionon, kështu vazhdojmë deri në përfundim të shkollimit, pse jo edhe për ta punësuar, në fund të fundit e ka kryer gjithë atë shkollim, do punësohet diku. Pjesa që nuk e mendojmë është e ne po i bëjmë fëmijët tanë sikur infermieret për të cilat fola më larë, që jo vetëm unë, por besoj që edhe ju ndjetë neveri vetëm gjatë leximit. As nuk duam ta imagjinojmë veten në vend të atij pacienti ose familjarëve të tij.

Mendojeni kështu, një nxënës me disa nota të falura do të bëhet një mjek që nga padija dhe papërgjegjësia e tij dhe e juaja në vend se ta shëroj një pacient do e përkeqësoj gjendjen e tij, e ndoshta edhe do e vras, me jotrajtimin ose trajtimin e gabuar. Si do të ndjeheshit nëse ky pacient do të ishte një njeri i dashur i juaji, ose nëse pacienti do të ishit ju?!