Mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Jonuz Musliut

20.01.2018 12:09:24

Të dashur familjarë, shokë dhe miq të Jonuz Musliut

Në këtë moment të dhimbshëm më lejoni që në emrin tim, të familjes sime dhe të bashkëkombësve të mi në Republikën e Kosovës t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit dhe babait të dashur,nëpërmjet jush politikanëve për humbjen e kolegut të tyre të vyer, gjithë bashkëqytetarëve të tij në Kosovën Lindore për humbjen e një udhëheqësi vizionar. Edhe pse në epiqendër të jetës së tij ishte Atdheu, ai kurrë nuk e la anash familjen e tij. Ai ishte bashkëshortë i dashur dhe i përkushtuar, baba i kujdesshëm dhe i angazhuar dhe vëlla i mirë.

Përcjellja e dhimbjes që ndjen secili prej nesh për ndarjen e parakohshme nga shoku i ilegales, shoku i qelisë së burgut, nga kolegu i punës, nga fqinji, nga qytetari i dhe aktivisti i pa kompromis për pavarësinë e Kosovës dhe viseve të saja!

Dashuria e Jonuzit për vendin e tij,ishte dashuri për njerëzit,pavarësisht nga përkatësia sociale, politike e fetare.

Kjo bëri që Jonuzi të angazhohej për ta,për të drejtat e tyre politike e sociale për mirëqenie,për drejtësi dhe për barazi.

Ai u respektua dhe vlerësua edhe nga ata që mund t`i kishte kundërshtar politik.

Jonuzi,nuk vrapoi asnjëherë pas posteve,pas karrierës,nuk kërkoi asnjëherë privilegje,nuk u ankua asnjëherë për fatin e tij personal. Nuk dinte të ankohej,dinte të jepte,por nuk dinte të merrte.

Nuk e di cilit prej jush nuk do t’i dridhej sot buza, po të detyrohet të flas për këtë njeri kaq të mrekullueshëm! E le ma mua, që më duhet t’i belbëzoj këto fjali për mikun më të shtrenjtë, i cili na la mu atëherë kur pritnim më së shumti prej tij.

Jonuzi, vuri në dispozicion idealet e tij për t’i shërbyer popullit, lirive njerëzore, demokracisë, bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit dhe gjithë arsenalin e tij shpirtëror dhe intelektual.

Si një politikan vizionar ai përdori me mjeshtri dialogun dhe diplomacinë edhe në momentet kur paqja dukej më e pashpresë se kurrë.

Kujtimi për ty Jonuz,për sakrificat tua,për vuajtjet në burgjet e Serbisë,për angazhimin tënd politik,të lënë të pranishëm përjetësisht në zemrat tona për çlirim dhe bashkim kombëtar do të vazhdojë deri në fund.

Ti e deshe lirinë, e deshe vendin të zhvilluar ekonomikisht, të përparuar.

Ne të gjithë shpresonim që ti do të jesh e ardhmja e ndritur në Kosovën Lindore, shumëkush nga ne,në mendimet e veta po edhe në përgjegjësitë që bartnim, thurnim plane se ku dhe si do të shfrytëzonim më mirë zellin e tij udhëheqës, aftësitë e tij drejtuese dhe kapacitetet e tija shpirtërore.

Ti e deshe Shqipërinë, ti i deshe shqiptarët të bashkuar dhe ti kontribuove deri në frymën e fundit të jetës tënde për ta.

Ti e mbarove obligimin tënd.

Jonuzi, sot po ndahet fizikisht nga ne,por vdekja jote nuk është fjala e fundit!

Ne, shokët e tu,miqtë, familjarët, do ta vazhdojmë aty ku e ke lënë ti.

Shembulli yt i sakrificës, shembulli yt i angazhimit do të jetë frymëzim në rrugën tonë.

Me ikjen e tij,do të na mungojë të gjithëve,por ai lë pas një shembull dhe eksperiencë që do ta bëjnë të jetë gjithmonë i pranishëm mes nesh.

Ndajmë me ju dhimbjen dhe hidhërimin e madh.

Qoftë i lehtë dheu i Kosovës Lindore, që ti e deshe aq shumë mbi trupin tënd.

Me respekt për Ju;

Isuf Bajrami

Gjilan; 20.01.2018