Mesha për Shën Terezën, bëhet thirrje të ndiqet shembulli i saj

02.09.2018 14:20:57

Në meshën e mbajtur sot në Prishtinë, në kuadër të Festës së Shën Nënë Terezës, u tha se vepra e saj është dëshmia më e mirë e dashurisë universale, teksa u bë thirrje që të ndiqet shembulli i saj.

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës tha se Nënë Tereza është shenjtëresha e dashurisë, e cila dëshmoi dashurinë në veprim, në shërbim, në flijim dhe në dhurim. Cilësi këto që sipas tij, Shën Terezën e bëjnë shenjtëreshë të jetës.

“Sot ne kremtojmë për një zemër të madhe e cila përqafoi mbarë botën. Jo vetëm botën e rëndomtë, por edhe botën e cila ishte e shëmtuar, e cila ishte nën peshën e së keqes, e cila ishte nën sundimin e padrejtësive të ndryshme, siç janë njerëzit buzë vdekjes, siç janë ndasitë e ndryshme mes njerëzve, sidomos në Indi ndasitë me kaste. Kjo zemër e madhe e Shën Nënës Terezës, apo më mirë të themi zemra e Krishtit përmes Shën Nënës Terezës dëshmoi dashurinë universale. Asnjë personalitet në historinë e njerëzimit dhe në historinë e krishterimit nuk ka dëshmuar aq bindshëm, aq fuqishëm, dashurinë për çdo kënd, sepse dashuria është dhurata universale që Zoti do të derdhë në zemrat tona”, tha ai.

Mes tjerash, Gjergji tha se gjaku i Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë është sfidë, qortim, e thirrje për njerëzit e tjerë dhe si i tillë, sipas tij fton që të imitohet jeta e saj.

“Kultura e jetës na përgatitë për qytetërimin e dashurisë. Shën Nëna jonë Terezë këtë na e mundëson dhe na e dhuron me ndërmjetësimin e saj. Pra mos të mbesim vetëm në fazën e nderimit, apo të falënderimit, apo të admirimit. Është koha o vëllezër e motra, o njerëz të vullnetit dhe zemrës së mirë, t’i lutemi Shën Nënës tonë Terezë dhe mbi të gjitha ta imitojmë jetën dhe veprën e saj, ose edhe më mirë veprën e Zotit nëpërmes saj”, u shpreh ai.

Në kuadër të Festës së Nënës Terezë, Ipeshkvia e Kosovës nga sot deri më 4 shtator do të mbajë aktivitete të ndryshme në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.