Mesila Doda: Sistemi arsimor të jetë pjesë e paktit kombëtar

26.03.2017 13:01:32

 

Mesila Doda: Nuk mund ta lëmë sistemin arsimor në Shqipëri që të jetë peng i dëshirave dhe i vullneteve, të kujtdo ministri që vjen e ikën

“Sa herë që ndërrohen qeveritë sjellin diçka ndryshe në sistemin 9-vjeçar, diçka ndryshe në sistemin e mesëm, akoma më ndryshe në sistemin e shkollave të larta. PDIU mendon se brenda paktit kombëtar që ne kemi propozuar duhet të përfshihet arsimi. Partitë parlamentare duhet të ulen në një tavolinë dhe të vendosin se cili do të jetë sistemi arsimor për 30 vitet e ardhshme, apo edhe më shumë. Nuk mund ta lëmë sistemin arsimor në Shqipëri që të jetë peng i dëshirave dhe i vullneteve, të kujtdo ministri që vjen e ikën. Sot kemi të rinj që shkojnë në shkolla, sakrifikojnë dhe në fund fare nuk gjejnë as punë.

Në asnjë hap të jetës së tyre nuk u jepet ndihmë, nuk kanë ndihmë sociale, një mbështetje financiare nga shteti, sidomos  për ata të rinj që kanë rezultate të mira. Për këtë arsye kemi dy propozime në programin tonë. Së pari të gjithë ata që kanë fëmijë të tretë, të katërt apo më shumë, duhet të kenë një pension që nga lindja deri në përfundimin e shkollës. Së dyti për të gjithë studentët e mirë, kjo ndihmë të vazhdojë përgjatë gjithë jetës.  Emigracioni nuk është i lehtë, emigracioni nuk të ofron gjithçka. Ta bëjmë Shqipërinë pak më të mirë dhe të ofrojmë mundësinë që gjithë bashkë të ecim në rrugën që kemi zgjedhur”, – u  shpreh deputetja e PDIU-së.

Mesila Doda u bëri apel të rinjve që të angazhohen në politikë dhe t’i bashkohen PDIU-së. Sipas zonjës Doda, të rinjtë do të jenë ata të cilët do ta bëjnë më mirë këtë vend.

“Ka shumë arsye se pse të rinjtë duhet të përfshihen në politikë. Unë kam qenë rreth 20 vjeç kur u përfshiva në lëvizjet studentore, në lëvizjet që ndryshuan këtë vend. Vazhdoja Fakultetin Ekonomik, isha në vitin e katërt dhe thashë, duhet të shkruaj diçka për ekonominë, sepse askush nuk fliste për të në atë kohë. Shkrova diçka dhe shkova te gazeta Rilindja Demokratike për ta botuar. Dikush më tha pse nuk e lexon para studentëve. Ishte pikërisht momenti që unë u përfshiva në politikë dhe qysh atëherë politika u bë bashkudhëtare me mua. Ua thashë këtë, sepse të rinjtë nuk duhet të dorëzohen kurrë, të rinjtë nuk janë  konformistë.

Të rinjtë duhet të vazhdojnë dhe të provojnë dhjetëra e qindra herë, pa u dorëzuar kurrë. Mos u dorëzoni nga muret që ngrenë të vjetrit. Ju të rinjtë keni forcën, keni objektivat, keni sinqeritetin, keni më pak vuajtje, por keni edhe më pak mundësi sot, ndaj mundësitë le t’jua japim neve që duhet të jemi shembulli më i mirë për ju. Politikanët duhet të hapin dyert për të gjithë të rinjtë. Ju të rinjtë duhet të jeni pjesë e politikës, do ta bëni më mirë se ne këtë vend”,- u shpreh deputetja Mesila Doda.