Mësohet e verteta, ja kur do ta takojë Rama, Ali Ahmetin

14.12.2016 12:35:35

Kryeministri Edi Rama ka takuar liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni, në tentativë për të afruar qendrimin e tyre. Ndërkohë në disa media u aludua se Ali Ahmeti ka refuzuar të takojë kryeministrin Edi Rama. Ai drejton BDI-në, partinë më të madhe shqiptare në Maqedoni. Por, Opinion.al përmes burimeve të sigurta nga BDI-ja ka mësuar se Ali Ahmeti do të vijë javën tjetër në Tiranë për të takuar Kryeministrin Edi Rama. Pra ky takim është shtyrë në kohë, por nuk është anuluar, thanë burimet.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme Rama ka takuar liderin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe liderin e LR-PDSH-së, Ziadin Sela dhe Menduh Thaçin. Pas takimit të djeshëm, Rama u shpreh se “meqë Maqedonia është në përfundim të një procesi zgjedhor, shqiptarët duhet të përfitojnë nga ky rast për t’i përgëzuar të gjithë të zgjedhurit pa përjashtim, por ata shqiptarë në mënyrë të veçantë se ata do të gjejnë forcën të çojnë një agjendë përpara për të bashkëjetuar demokratisht me maqedonasit, për ta rivendosur në agjendat e tyre paritake Marrëveshjen e Ohrit, si emërues i përbashkët dhe të kërkojnë me një zë që programi i Qeverisë së re, të futet në kornizën e Marrëveshjes së Ohrit”.

“Partitë shqiptare në Maqedoni nuk janë të detyruara të pajtohen me gjithçka, por janë të imponuara nga interesi i shqiptarëve, që të flasin me një zë për të vetmen gjë që nuk mund të ndahen”, vijoi Rama.