Messi-Argjentina, vendim interesant nga trajneri i ri

02.08.2016 17:10:49
Edgardo Bauza është emëruar trajneri i ri i kombëtares së Argjentinës dhe vetëm pak orë pasi ai kishte marrë detyrën e re, 58-vjeçari konfirmoi se po bënte plane për të takuar sa më parë Lionel Mesin.
“Nuk kam pasur ende asnjë kontakt me Mesin dhe familjen e tij. Por ideja jonë është që pasi të kem marrë formalisht detyrën, të udhëtoj për të biseduar me të. Nuk kam pse ta bind për asgjë, thjesht duhet të flas për futbollin me të”, deklaroi trajneri i cili ishte në drejtimin e brazilianëve të Sao Paulos para se të merrte detyrën e re.

Mesi deklaroi se do të largohej nga kombëtarja, por Bauza bëri të qartë se ishin edhe disa futbollistë të cilit kishin pasur të njëjtën ide dhe situata duhej të sqarohej sa më shpejt.

“Ne, që kemi qenë futbollistë, e kuptojmë zhgënjimin pasi ke humbur në finale. Unë mendoj t’i shpjegoj mënyrën se si planifikoj të luaj, jo vetëm atij, por edhe të tjerëve. Nuk ka shumë kohë në dispozicion, pasi ndeshjet po afrojnë. Ajo që Mesi duhet të kuptojë, është se çfarë duhet të bëjë në fushën e lojës dhe çfarë vendimesh duhet të marrë”, ishin fjalët e trajnerit, i cili duket optimist se Mesi do të kthehet përsëri në kombëtare.