Messi shpëton Barcelonën

19.02.2017 23:40:20

Lionel Messi shpëton Barcelonën nga kolapsi. Ylli i katalanëve shënoi dy gola, në fillim dhe në fund të sfidës me Leganes, duke evituar komplikimin e situatës për skuadrën e Luis Enriques.

Messi hapi serinë e golave vetëm pas 4 minutave lojë, por me disa titullarë të lënë pushim, “blaugranat” vuajtën përballë skuadrës së vogël madrilene.

Leganes barazoi shifrat në të 71-ën me Unai Lopez, por kur u mendua se ata mund të fusnin në krizë Barçën, gjithçka u zgjidh në minutën e fundit. Neymar fitoi një 11-metërsh të diskutueshëm, të cilin Lionel Messi e shndërroi në gol.

Barça regjistroi fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe ngjitet në vendin e dytë në renditje, me një pikë më pak se Reali i Madridit, megjithatë skuadra e Zidane ka dy ndeshje më pak.

Surprizon Villareali. Fitore në fundin e lojës për nëndetsën e verdhë që falë një goli të Samu Castillejos, në sekondat e fundit mposhti 1-0 në trasfertë Real Sociedadin.

Pavarësisht lodhjes pas sfidës me Romën në Europa League dhe faktit që u rikthye në fushë vetëm pas 55 orësh, skuadra e trajnerit Escriba mori një fitore shumë të rëndësishme në Anoeta me Villarealin që ngjitet në kuotën e 39 pikëve, dy më pak se Sociedadi i vendit të 5-t.