Meta me të rinjtë: Jeni ndryshimi që garanton të ardhmen

26.04.2017 15:49:03

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, mori pjesë në një takim me të rinjtë e LRI-së në Njësinë administrative nr. 10 në Tiranë.

Duke iu drejtuar të rinjve, Ilir Meta u shpreh se suksesi më i madh është që ëndrrën ta realizojnë në vendin e tyre dhe të ndryshojnë të ardhmen e vendit, familjes, të komunitetit dhe shoqërisë.

“Nuk ka forcë më të madhe se sa kur rinia e kupton se çfarë përfaqëson, e kupton që vetëm e bashkuar mund të jetë ajo fuqi ndryshimi që garanton të ardhmen e saj, por edhe të familjeve të gjithë të rinjve dhe të rejave, të familjeve që keni sot, por edhe të familjeve që do të krijoni nesër”, – deklaroi Kryetari i LSI-së, duke shprehur bindjen se përqendrimi në çështjet dhe tematikat që u interesojnë më shumë të rinjve si edhe edukimi i duhur do të sjellin në të ardhmen vende pune më të mirëpaguara .

“Një edukim më i mirë do të thotë edhe një punë më e mirëpaguar, do të thotë edhe një mundësi edhe për të përballuar kostot e jetesës që në Tiranë janë më të larta se në rajone të tjera të vendit. Do të thotë edhe një familje e lumtur, do të thotë edhe një perspektivë për të krijuar familje të lumtura dhe të shëndetshme në të ardhmen”, – tha Meta.