Meta, përkrah Veliajt: Kur jemi bashkë, bëjmë gjëra të pamundura

14.04.2017 11:04:43

Gjatë një inspektimi për punimet e rrugëve në Zall Herr, kreu i Kuvendit Ilir Meta ka lavdëruar punën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Unë besoj se puna që ka bërë Erioni në këto dy vite ka qenë një punë e ndjeshme në të gjithë Tiranën, por jam i gëzuar për punën që ai po bën për integrimin e këtyre njësive administrative. Unë do të uroja që të gjithë kryetarët e bashkive të punojnë në këtë mënyrë që të duket ndryshime dhe njerëzit të prekin efektet e reformës administrative territoriale, – tha Meta. – Unë kam bërë përpjekje që PD të përfshihej në këtë reformë, i kemi dhënë shumë mundësi. Ishte një zgjedhje e saj, por janë disa reforma që janë në interes të qytetarëve që nuk njohin as të majtë dhe as të djathtë”.

Meta theksoi se kur PS dhe LSi janë bashkë, mund të realizojnë shumë reforma për qytetarët: “Unë jam sot këtu bashkë me kryetarin e Kuvendit, si dëshmi e një fakti që kur ne jemi bashkë bëjmë gjëra që veç e veç janë të pamundura. Kur isha ministër mbaj mend që jo vetëm reforma territoriale nuk do bëhej nëse nuk ishim bashkë po shumë reformat ë tjera nuk do të realizoheshin. Unë besoj fort që nëse PS dhe LSI do kishin vullnet për një reformë pensionesh do të kishim një sukses. Sot kemi shmangur kolapsin, sot marrin pensione edhe mbi 240 mijë lekë sa ç’ka qenë tavani për ata që kanë shumë vite punë dhe që kanë dhënë kontribute”.

Në prag të raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës me 19 prill, kreu i Kuvendit Ilir Meta i ka qëndruar mendimit të tij se kryetari i ri i shtetit duhet të zgjidhet me konsensus.

“Mendoj se duhet të zgjidhet përmes konensusit, tani nuk kam ndonjë emër”. Sa i takon bojkotit të opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit, Meta nënvizoi se “të gjitha duhet të marrin pjesë në zgjedhje”.