Meta, Rama, Manjani… Miq të Klemend Balilit

30.01.2017 16:31:29

Organet ligjzbatuese në Shqipëri në bashkëpunim dhe me DEA-n amerikane të antidrogës po përpiqen që të ndalojnë supertrafikantin e drogës Klemend Balili, pas urdhërarrestit të lëshuar më në fund nga Prokuroria. Nuk është se policia e shtetit e ka neglizhuar arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”, por ai ka qënë gjithnjë një hap para tyre për shkak të lidhjeve të forta miqësore dhe partiake që ka me kreun e Kuvendit dhe të LSI, Ilir Meta. I cili ka bërë gjithçka që Balili të jetë jashtë radarit të policisë dhe larg prangave. Pasi dhe një “rrëfim” tjetër i ngjashëm me atë të Almir Rrapos ish-sekretarit të tij në Ministrisë së Jashtme që tashmë është me statusin e të penduarit në SHBA, Ilir Meta do të groposej përfundimisht. Jo se nuk e dinë amerikanët dhe gjithë shqiptarët se cili është begraundi i tij kriminal. Por do rrënohej dhe zyrtarisht e përfundimisht.

Organet ligjzbatuese në Shqipëri në bashkëpunim dhe me ato amerikane kanë vendosur survejimin e të gjitha shtëpive të Metës në Tiranë dhe Lalz, po ashtu dhe të ministrit të Drejtësisë Yli Manjani dhe të numrave dy të kësaj partie Petrit Vasili dhe Luan Rama. Gjithnjë me shpresën se Klemend Balili do të gjendej në njërën nga këto banesa, duke shfrytëzuar këtu dhe postulatin e vjetër sa bota se: për të shpëtuar nga përndjekja mos rri në periferi por në qendër dhe mundësisht afër selive të organeve ligjzbatuese se aty s’të vë re njeri. Por deri më tani Balili ka mundur t’u shpëtojë kurtheve. E vërteta e kulluar është se Klemend Balili lëviz me emër tjetër.

Ai kryesisht gjendej në Sarandë pak kohë dhe pastaj lëviz në Itali apo më saktë në Milano, në veri të Italisë. Pikërisht aty ku janë të instaluara disa nga bizneset e Ilir Metës dhe klientela e drogës që trafikohet nga ai përmes Balilit është shumë më e madhe. Balili thuhet se nuk del shumë, drejton nga bodrumet ku qëndron me emër tjetër dhe është nën mbrojtjen madhore të “floririt” Ilir Meta. Prej andej drejton të gjithë trafikun e drogës në emër të Ilir Metës, ndërkohë që nuk përjashton lëvizjet dhe në Shqipëri thjesht për të humbur gjurmët. Burimet nga Milano bëjnë me dije se ai është parë atje, madje ka qenë dhe në konsullatën tonë në Milano ku ka marrë një dokument por me emër tjetër.

Një shans për të është se ka qënë gjithnjë i paskeduar, madje tërë kohën dëshminë e penalitetit e ka pasur të pastër. Pavarësht se në kohën e qeverisjes së PD, mbështetës i së cilës ka qenë deri afër fundit të mandatit më 2013, ka pasur probleme me drejtësinë, por që nuk kanë depërtuar deri tek fakti i ndotjes së dëshmisë së panelitetit për shkak se ministrat e PD, deri dhe tek Eduart Halimi, kanë qënë tolerantë dhe kanë mbyllur sytë përballë shkeljeve të tilla. Pasi Balili ishte financues i mirë i PD.

Por dhe me ardhjen e mazhorancës së majtë në pushtet, ku LSI ka pasur tërë kohën ministrinë e Drejtësisë, Klemend Balili ka pasur gjithnjë një dëshmi penaliteti të pastër. Deri tek Manjani me të cilin ka një miqësi të veçantë, pasi ka qënë Meta që përmed mikun më të ngushtë të Manjanit, adashit të tij në krye të rrugëve Ylli Spahiu e emëroi Klemend Balilin drejtor të shërbimit rrugor si përfaqësues të LSI në Sarandë, emëroi djalin e vëllait të tij kandidat për kryetar bashkie në Delvinë të cilën e fitoi.

Ndërkohë që Manjani, ministri aktual i Drejtësisë është tepër i saktë kur thotë se nuk ka udhëtuar me Balilin në Dubai. Jo. Ai ka udhëtuar me paratë e Balilit në Dubai, pasi ka qënë supertrafikanti i cili është tashmë në kërkim, ai që i ka paguar rrugëtimin turistik ministrit të Drejtësisë në Dubai.

Ndërkohë që Manjani e ka shpërblyer goxha. Nuk janë pak zvarritjet prej shtatë muajsh të dosjes greke të Balilit për ta përkthyer dhe dërguar në prokurori. Kjo është e vërteta se kush e mbron Klemend Balilin, i cili me këtë angazhim të policisë shqiptare, partneritetit të qeverisë shqiptare me atë italiane dhe për pasojë dhe të dy ministrive të Brendshme, shpejt dotë bjerë në pranga. Mister është se ku do të “rrëfehet” ai për lidhjet me politikën.