Mick Schumacher: Babai është idhulli im, dua të behëm kampion

29.03.2017 14:49:45

“Idhulli im është babai im, pasi ai është më i miri, është modeli që më frymëzon dhe dua t’i ngjaj”, ka qenë komenti i Mick Schumacher, djali i 7 herë kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher.

Ky i fundit është ende në fazë rehabilitimi pas aksidentit me ski në Francë, 3 vite më parë. Por djali i tij Mick po ndjek të njëjtën rrugë dhe këtë vit, me skuadrën Prema, do të garojë në formula 3. Në një intervistë për televizion gjerman RTL, Mick Schumacher nuk i ka fshehur ambicjet e tij për të ardhmen, ku synon t’i ngjajë babait të tij dhe të fitojë si ai. “Dua të bëhem kampion i botës në Formula 1. Mendoj se kjo nuk është thjesht një dëshirë apo një ëndërr si e çdo piloti të ri, që aspiron të garojë në Formula 1. Unë nuk e di se çfarë surprizash do të më rezervojë e ardhmja, por ky është objektivi im”, tha më tej Mick Schumacher, që nuk është aspak i shqetësuar për kalimin në Formula 3, pasi shkëlqeu në Formula 4 një vit më parë. “Më pëlqen ky kampionat i ri, makinat janë më të shpejta në kthesa dhe duelohet më shumë. Po përpiqem të njoh sa më shumë makinën e re, të rriten dhe së shpejti të garon me më të mirët në botë”, tha Mick Schumacher.