Milan-Lazio me llogari të hapura, “zjarr” në “San Siro” për finalen

24.04.2019 11:32:27

Në orën 20:45, në “San Siro”, do të luhet akti i dytë gjysmëfinal i Kupës së Italisë mes Milanit dhe Lazios, që në përplasjen e parë në “Olimpico” u ndanë në barazim 0-0. Për të dytin vit radhazi, shorti i vendos këto dy skuadra përballë njëra-tjetrës në këtë fazë të këtij kompeticioni. Një vit më parë në finale u kualifikua Milani, pas goditjes së penalltive, pasi të dyja ndeshjet përfunduan në barazim pa gola.

Me Juventusit tashmë jashtë kompeticionit, fituesi I këtij çifti konsiderohet favorit për ta ngritur lart trofeun, ndaj dhe dëshira për të arritur finalen është e madhe në të dy kampet.

Në fakt, fatet e kuqezinjve dhe bardhekaltërve ndërthuren edhe në kampionatit, ku ka një garë të fortë për zonën Champions.

Ekipi i Inzaghit vjen në këtë sfidë pas disfatës së papritur ndaj kundër CHievos, matematikisht e rënë në Serinë B, ndërsa kuqezinjtë barazuan 1-1 ndaj Parmës.

Statistikat e përplasjeve direkte favorizojnë “Djallin”, që në 6 takimet e fundit mes kampionatit dhe Kupës nuk njeh humbje, duke marrë 5 barazime dhe një fitore. Janë ende të freskëta pamjet e përplasjes mes dy kampeve në takimin e fundit, të cilin mMilani e fitoi minimalisht me 11-metërsh.

Është gjithashtu interesant fakti që në Milan-Lazio, në vitet e fundit nuk shënohen gola, madje në 5 takimet e fundit është shënuar 3 herë barazimi 0-0, në një rast skuadrat kanë barazuar 1-1 dhe në takimin e 13 majit “Djallit” i mjaftoi goli i Kessie-t me penallti.