Milani fiton miqësoren, por Gattuso tremb tifozët

20.07.2018 23:25:49

Pasi fitoi të drejtën për të luajtur në Europa League, nëpërmjet apelimit në KAS-in e Lozanës, Milani e nisi me një fitore edhe fazën përgatitore të këtij sezoni.

Kuqezinjtë mposhtën me rezultatin 2-0 Novarën, në sfidën e parë miqësore për këtë sezon, falë golave të shënuar nga Suso me goditje dënimi dhe Calabria, pas një grushtimi të portierit mik. Në përfundim të sfidës ishte trajneri Genaro Gattuso ai që foli për mediat dhe komentoi situatën aktuale te kuqezinjtë.

“Më vjen mirë që na u konfirmuar ajo që fituam në fushë, Tani është momenti të punojmë, për t’u përmirësuar. Nëse vjen Leonardo nuk ka asnjë problem, pasi me të jemi sqaruar dhe mbetemi miq. Sa i përket merkatos, është e qartë që kemi nevojë për përforcime, por për këtë duhet të flisni me drejtuesit”, deklaroi Gattuso.

Gjithsesi trajneri i kuqezinjve riktheu edhe njëherë shqetësimin te tifozët e Milanit, kur u pyet për të ardhmen e Leonardo Bonuccit, që duket se ka të tjera plane nga milanistët.

“Bonucci është një njeri i madh dhe dëshiron të fitojë gjithmonë, ashtu si edhe Milani. Bëhet fjalë për një futbollist të rëndësishëm, për më tepër kapiten të skuadrës dhe shoqëria dëshiron ta mbajë me çdo kusht, por ndonjë herë duhen respektuar edhe vendimet personale të lojtarëve”, tha trajneri i Mialnit.

Më herët mediat italiane raportuan se Bonucci ka kërkuar largimin nga Milani, me destinacion PSG-në, ku e preh krahëhapur Gigi Buffon, i cili sapo ka marrë në dorëzim katërkëndëshin e portës së francezëve.