Milani vuan, por fiton. Roma “OK”. Goleadë e Atalantës

18.03.2018 20:19:47

Nga Genoa te Chievo. Andre Silva është heroi i i ri i Milan-it. Shtatë ditë më parë i ka dhuruar 3 pikët kuqezinjve në minutën e 94-t, në takimin e fituar 1-0 në fushën e Genoa-s. Sot, minuta ka qenë 82, por goli që i ka dhuruar fitoren 3-2 milanezëve, ashtu si ai i javës së kaluar, mund të rezultojë vendimtar në luftën për vendin e katërt, që tani është bërë më e ndezur se kurrë.

Gjithçka ka filluar mirë për ekipin e Gattuso-s që ka gjetur golin e avantazhit me Calhanoglu, i cili ka përfituar nga një rrëmujë në zonën e rreptësisë dhe ka dërguar topin në rrjetë me lehtësi. Ky gol i shpejtë ka bërë të mendohej se kuqezinjtë do të kalonin një pasdite të qetë në “San Siro”, por nuk ka qenë kështu.

Chievo, në fakt, ka arritur të përmbysë gjithçka në harkun e një minute. Në të 33-ën ka barazuar me Stepinskin dhe ka kaluar në avantazh me Inglese-n në të 34-ën. Dy goditje të papritura këto që kanë trullosur vendasit dhe kanë bërë të heshtë publikun vendas që nuk u ka besuar syve.

Gjithsesi, reagimi i kuqezinjve ka ardhur në minutën e 54-t me Cutrone që ka barazuar rezultatin pasi portieri Sorrentino ka devijuar në këmbët e sulmuesit kuqezi goditjen e fuqishme të Biglia-s. Lojtarët e Chievo-s kanë protestuar për një pozicion jashtë loje, por VAR ka konfirmuar golin.

Në minutat e mbetura sulmet e milanezëve janë shtuar, ndërsa veronezët janë mbyllur në mbrojtje. Tentativat e lojtarëve të Gennaro Gattuso janë shpërblyer nga goli i realizuar nga Andre Silva në minutën e 82-të të takimit. Portugezi ka përfituar nga një gabim i mbrojtjes mike dhe ka ndëshkuar portierin Sorrentino një metër larg portës. Në minutat e fundit, Milan ka pasur rastin për të shënuar edhe golin e katërt, por Kessie ka gabuar penalltinë e fituar nga Calhanoglu.

Gjithsesi, ky gabim nuk ka pasur pasoja për kuqezinjtë, që kanë marrë tri pikë shumë të rëndësishëm në garën për një vend në Champions League.