Miliardat e diasporës mbajnë gjallë Kosovën

27.07.2016 22:49:46

Remitencat konsiderohen burimi kryesor financiar .

Popullatën e Kosovës edhe pas luftës po e mbajnë paratë e mërgimtarëve tanë, kurse remitencat e diasporës, në mungesë të zhvillimit ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, janë bërë burimi kryesor financiar i ekonomisë sonë. Ndërkaq, një studim i bërë nga një OJQ-vendore ka treguar se, sikur mos të ishin remitencat, norma e varfërisë në Kosovë do të kishte shkuar në rreth 52 për qind, që paraqet një rritje prej 100 për qind. Bazuar në disa të dhëna të ASK-së, thuhet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropë. Kosova është ndër vendet në Ballkan me më se shumti dërgesa të pranuara nga mërgimtarët. Ndërkaq, sipas ekspertëve, sjellja e parave ka ndikim edhe në rritjen e konsumit e rrjedhimisht edhe ndikim në ekonominë e gjithmbarshme të vendit. Në një Raport të BQK-së, ndër të tjerash thuhet se remitencat në vitet e fundit ndikuan që Kosova të arrijë rritjen ekonomike që pati për më pak se 3 për qind. Sipas Raportit Vjetor të BQKsë, të publikuar vitin e kaluar, shifrat tregojnë për efektet e përmirësimit të ekonomisë në Eurozonë ndikim kanë në ekonominë e Kosovës nëpërmjet remitencave, investimeve të huaja direkte. “Remitencat, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, vazhdojnë të kontribuojë në ngushtimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Vlera e gjithsej remitencave të pranuara në vend në vitin 2014 arritën më shumë se 693.7 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.7 për qind derisa në vitin 2015 këto remitenca e kalojnë këtë shifër “, thuhet në këtë raport.

Familjet përfitojnë mijëra euro në vit Në muajt e verës diaspora kosovare me të madhe ia mësynë Kosovës dhe janë të shumtë ata që sjellin edhe para të kursyera. Kështu, qytetari nga Prizreni, Kurtesh Biba, që e takuam të martën në qendër të Prishtinës, tregon se këtë verë ai solli rreth 15 mijë euro. I ardhur nga Gjermania për kalimin e pushimeve në vendlindje, ai tregon se këtë vit solli në shtëpi më shumë para se sa viteve të kaluara. “Kemi planifikuar me vëllain renovimin e shtëpisë gjatë kësaj vere. Kjo është arsyeja e sjelljes së këtyre parave. Por, gjatë qëndrimit këtu për tri javë, sigurisht se do të dalin edhe shpenzime të tjera”, tha Biba. Ai bën të ditur se bashkë me familjen e tij 5 anëtarëshe, të paktën dy herë brenda vitit vijnë në Kosovë, por jo gjithherë ai sjell para në familje. “Sivjet kemi planifikuar investime në shtëpi se kur të vijmë herëve të tjera nuk besoj se do të sjellim kaq para”, theksoi ai. Deputeti i opozitës, Bali Muharremaj thotë se nuk ka asnjë fije dyshimi se është diaspora kosovare ajo që po e mban në këmbë ekonomikisht popullatën dhe ekonominë e brishtë kosovare. Ai thotë se po mos të ishte diaspora jonë, Kosova nuk do të qëndronte në këmbët e veta. “Është për keqardhje për ekonominë e një vendi që mbetet e varur nga remitencat e bashkatdhetarëve të tyre”, ka potencuar ai. Sipas deputetit Muharremaj, këto remitenca janë treguesi më i mirë se çfarë pune dhe çfarë strategjie zhvillimore ka Qeveria “Mustafa” dhe koalicioni aktual PDK-LDK, që e kanë sjellë ekonominë vendore buzë falimentimit.

Remitencat, burimi kryesor financiar Ndërsa lideri i AKB-së, Agim Shahini pajtohet me vlerësimin se remitencat e diasporës, në veçanti gjatë tre muajve të verës, janë burimi kryesor financiar i jetës ekonomike për qytetarët tanë. Sipas Shahinit, kjo po vërehet si te shitjet gjatë verës, kur diaspora është në Kosovë, dhe gjatë gjithë vitit, kur njerëzit nga diaspora mbajnë familjen dhe remitencat paraqesin një infuzion të madhe për qytetarët tanë. “Hulumtimet dhe analizat tona tregojnë se me ardhjen e diasporës edhe shitjet në tregun vendor shënojnë një rritje nga 30 deri në 35 për qind për sektorin e ndërtimtarisë, sidomos gjatë stinës së verës”, potencoi ai. Eksperti i ekonomisë, Milazim Abazi, bankier, thotë se remitencat nga diaspora e Kosovës janë burimi kryesor financiar i zhvillimit të jetës sociale dhe ekonomike në Kosovë. Sipas statistikave zyrtare, të hyrat nga diaspora sillen në mes të 650-700 milionë euro gjatë një viti dhe, fatmirësisht, këto po vazhdojnë të rriten nga viti në vit, ndoshta edhe për shkak të rritjes së vazhdueshme të emigrimit. Bankieri Abazi thotë se diaspora kosovare jo vetëm që po ndikon në ruajtjen e stabilitetit social, por nëpërmes rritjes së konsumit po ndikon edhe në këtë rritje sado të vogël ekonomike.

Diaspora “shpëton” Qeverinë nga trazirat sociale Bankieri Abazi tha se pa të hyrat nga diaspora, asnjë Qeveri në Kosovë, për shkak të trazirave sociale, nuk do të mbijetonte më shumë se disa muaj. “Diaspora kosovare në vitet e para të fillimit të privatizimit ka qenë edhe kontribuuesja më e madhe në privatizim dhe të gjitha privatizimet nga diaspora kanë qenë të suksesshme. Por, më vonë, me rritjen e korrupsionit dhe kurdisjen e tenderëve, diaspora u tërhoq nga privatizimet dhe sot ata kryesisht janë orientuar në blerje të banesave dhe lokaleve, investime këto që nuk ndikojnë në rritje të prodhimit dhe të punësimit afatgjatë”, ka theksuar ai. “Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Diasporës duhet të krijojnë strategji të veçantë për orientimin e investimeve të diasporës në programe prodhuese ku do të mund të punësoheshin me dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë dhe familjarët e investitorëve të diasporës. Me këto investime do të krijoheshin njerëz aktivë dhe kontribuues në zhvillim e jo si deri tash që me remitenca kryesisht po krijohen njerëz parazitë”, ka thënë bankieri Abazi. Ai sugjeron se me orientimin e remitencave vetëm në konsum, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, andaj Qeveria me një varg masash stimuluese duhet që këto remitenca t’i orientojë në investime.

Trendët pozitivë në pesëvjeçarin e ardhshëm Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, është i mendimit se sikur të mos ishin remitencat e emigrantëve kosovarë, që në vit kapin shifrën e mbi 600 -700 milionë eurove, përqindja e varfërisë në Kosovë do të ishte shumë më e madhe. Ai tha se bazuar në të dhënat e pjesës së parë të vitit 2015, që i ka bërë publike BQK-ja, mësohet se dërgesat e mërgimtarëve kanë qenë një financues i rëndësishëm i konsumit dhe investimeve në vend, më shumë se 150 milionë euro. Shatri tha se sipas të dhënave të BQK-së, dërgesat e mërgimtarëve paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore dhe po vazhdojnë që të kontribuojë në ngushtimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Shatri thotë se vetëm vjet në tremujorin e parë të vitit 2015 vlera e remitencave të pranuara në Kosovë arriti në 159.3 milionë euro, që është një rritje prej 21.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po sipas Shatrit, mësohet se parashikimet e BQK-së thonë se ky trend i remitencave do të vazhdojë edhe në pesë vjetët e ardhshëm. Po ashtu, edhe në Projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2015 është parashikuar që niveli i këtyre dërgesave të jetë stabil dhe të përcjellë trendët e rritjes së deritanishme.