Miliarderët rusë po krijojnë klinika brenda shtëpive për t’u mbrojtur nga koronavirusi

23.03.2020 11:48:53

Sipas të dhënave të siguruara nga “Moscow Times”, familjet e pasura po krijojnë klinika të improvizuara brenda shtëpive të tyre për t’u siguruar se ata do të kenë kujdes të mirë shëndetësor nëse infektohen nga COVID-19.

Gjithashtu theksohet se ata po blejnë dhe “vjedhin” respiratorët, të cilët janë thelbësore për të prekurit nga koronavirusi. Këto pajisje jetësore po instalohen në banesat e tyre luksoze, ku gjithçka është përshtatur për t’I shpëtuar rrezikut nga virusi vdekjeprurës.

“Ne kemi arritur të marrim një deri më tani, por po mundohemi të marrim edhe një tjetër”, tha një anëtar i familjes për “Moscow Times”, duke kërkuar të mbetet anonim. Vlen të theksohet fakti se pajisje të tilla janë të shtrenjta dhe çmimi i tyre shkon në 22 mijë e 500 dollarë.

Kjo krijon mundësinë që miliarderët të izolohen dhe trajtohen mes luksit, ndërkohë që Rusia dhe e gjitha bota po përballet me një gjendje emergjence.

Sipas shifrave të bëra publike, Rusia ka gjithsej rreth 43.000 respiratorë në spitalet e saj shtetërore në të gjithë vendin.