Miliarderi Bloomberg intensifikon fushatën presidenciale

18.02.2020 23:40:50

Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, miliarderi Michael Bloomberg ishte i fundit mes kandidatëve demokratë që hyri në garën presidenciale dhe i vetmi kandidat që ende nuk ka marrë pjesë në debatet e demokratëve.

Amerikanët mësojnë për axhendën dhe platformën e tij nga reklamat politike që ai vetë i financon. Kohët e fundit, zoti Bloomberg hapi një zyrë të re në Harlem, zyra e parë e fushatës së tij në shtetin e Nju Jorkut.

Në Rrugën 125 të Harlemit, në qytetin e Nju Jorkut ndodhet zyra e re e fushatës së kandidati presidencial Mike Bloomberg.

Zyra ende nuk është përfunduar nga brenda, por hapja zyrtare e saj është bërë.

“Unë jetoj këtu afër, shoh se ai po vendoset në Harlem, që është gjë e mirë, ai është i angazhuar me komunitetin. Kam qenë aktiv në fushatën e kandidates Kamala Harris, për fat të keq, ajo u tërhoq nga gara sepse nuk u angazhua sa duhet. Të shohim se çfarë do të ndodhë!”, thotë një banor i Harlemit.

Për të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat për President, Bloomberg do të ketë nevojë për mbështetjen e votuesve afrikano-amerikanë, të cilët janë një grup i konsiderueshëm në zgjedhjet paraprake të demokratëve.

Politika e ndalimit dhe kontrollimit e zbatuar nga administrata e zotit Bloomberg, kur ai ishte kryetar i bashkisë së Nju Jorkut, një ligj që lejonte policinë të ndalonte dhe të kontrollonte njerëzit për armë dhe kontrabandë, vuri në shënjestër anëtarët e komuniteteve pakicë.

Mënyra se si ky ligj u zbatua u shpall antikushtetuese nga Gjykata Federale e Nju Jorkut.

Pas hyrjes në garën presidenciale, Bloomberg kërkoi falje për veprimet e tij të së kaluarës. Qëllimi i tij më i madh tani, thotë ai, është të frenojë Presidentin Donald Trump.

“Përparësia ime e parë është të heq nga pushteti Donald Trumpin. Po shpenzoj të gjitha paratë e mia për të hequr Trumpin. Doni që unë të shpenzoj më shumë, apo më pak?”

Bloomberg tashmë ka shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për reklama televizive dhe është gati të shpenzojë deri në një miliard dollarë të parave të tij në garën për president.

Mesatarisht, ai shpenzon rreth 3 milionë në ditë për fushatën.

Megjithatë, shumë njerëz e shohin strategjinë e Bloomberg-ut si një dëshirë për të “blerë demokracinë”.

“Ne nuk kemi nevojë për para. Ne kemi nevojë për një udhëheqës! Dikush që do të na çojë në një vend të mirë. Bloombergu mendon se më shumë para mund ta sjellin atë në këtë pozitë”, thotë një banore e Nju Jorkut.

Por këshilltari politik Hank Sheinkopf thotë se pozicioni centrist i Bloombergut mund të funksionojë.

“Mike Bloomberg nuk merr vendime pa bërë kalkulime, ai ka mbaruar studimet për inxhinieri. Ai ka një ide për çdo gjë që bën. Nëse nuk fiton dot, ai me siguri do të jetë në gjendje të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve në vjeshtë.”

Pavarësisht se nuk ka marrë pjesë në debatet e demokratëve, Bloomberg po fiton terren. Sipas sondazheve, tani ai është kandidati i pestë më i njohur i demokratëve pas konkurrentëve Joe Biden, Bernie Sanders, Elizabeth Warren dhe Pete Buttigieg.

Bloomberg ka marrë një mbështetje të madhe nga Judge Judy, një personazh i famshëm amerikan, e cila drejton një emision televiziv popullor që merret me zgjidhjen e çështje të vogla juridike.