Miliona euro për lobimin e Kosovës

08.06.2018 23:48:37

Kosova për vite ka angazhuar kompani ndërkombëtare të konsulencës për të lobuar te shtetet e fuqishme. Këto kompani janë paguar me miliona euro nga buxheti i shtetit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka angazhuar një nga lobuesit më të njohur në Uashingtonin e Trumpit, Brian Ballard, të cilin e paguan 52 mijë euro në muaj, apo 1.2 milion dollarë për shërbimin, siç parashihet në kontratë, shkruan Politico.

Në bazë të dokumenteve zyrtare, Kosova paguan kompanitë lobuese amerikane që nga vitit 1992.

Marrëveshja ndërmjet presidentit të Kosovës dhe kompanisë lobuese “Ballard Partners”, ishte nënshkruar më 22 dhjetor të vitit 2017.

Në një përgjigje të Zyrës për informim të Presidencës së Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë, thuhet se deri në kontraktimin e kësaj kompanie është ndjekur çdo procedurë ligjore, që konkretisht kishte nisur pas kërkesës që Presidenca i kishte bërë Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa për ndarje të buxhetit shtesë për angazhimin e një kompanie ndërkombëtare të konsulencës.

Kjo kompani, sipas Presidencës, do të mbështesë nismat e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën, do të ndihmojë në krijimin e një dinamike të re në procesin e pajtimit, por edhe në proceset tjera siç është modernizimi dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca shumetnike.

“Kjo kompani do të ndihmojë edhe në modernizimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë në një forcë shumetnike dhe në implementimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit. Gjithashtu, kjo kompani amerikane do të ndihmojë Kosovën edhe në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë, nxitjen e investimeve tregtare”, thuhet në përgjigjen e Presidencës së Kosovës.

Sipas Politicos, presidenti i kompanisë, Brian Ballard, njëherësh njëri prej fondmbledhësve kryesorë për presidentin aktual amerikan, kishte biseduar shkurt në Florida me presidentin Trump më 22 prill, rreth marrëdhënieve të SHBA-së me Kosovën, si dhe i kishte transmetuar kërkesën e ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku për një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan Politico.