Mimi Kodheli shpallet “qytetare ndrei” më komunën e Drenasit

13.05.2017 19:15:07

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli është shpallur “Qytetare Nderi” e Komunës së Drenasit.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Kodheli tha se këtë nderim ia kushton babait të saj të ndjerë që kishte punuar fort për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi.

Në ceremoninë e organizuar në Drenas, kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci priti fillimisht në sallën e mbledhjeve ministren Kodheli. Më pas vijoi seanca solemne në sallën e Kuvendit të Komunës, ku dekretin e shpalljes “Qytetare Nderi e Komunës”, e lexoi kryesuesi i Kuvendit, Naim Bazaj.

“Zonja e nderuar, Mimi Kodheli shpallet ‘Qytetare Nderi’ e Komunës për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e pakursyer për çlirimin e Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës dhe vënien e interesave të Kosovës në axhendat integruese euro-atlantike. Për personalitetin e fuqishëm motivues dhe inspirues të lartësimit të gruas shqiptare në Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe të fuqizimit të saj duke qenë në vendimmarrje. Dëshmoi me angazhimin e saj të pashoq se gruaja shqiptare denjësisht ka promovuar dhe lartësuar vlerat kombëtare”, thuhet në motivacionin që shoqëronte dhënien e këtij titulli.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci vlerësoi se ministrja Kodheli me përkushtim të pashoq, ka lartësuar Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar.

“Keni argumentuar fuqinë e barazisë gjinore, dëshmuat aftësinë e gruas shqiptare në politikë dhe vendimmarrje. Vendin e rezervuar për burrat e Shqipërisë, për Ministrinë e Mbrojtjes, e udhëhiqni me dinjitet. Ju keni vijuar rrugën e grave të shquara të kombit, si ministre shqiptare në NATO, duke prezantuar kombin tonë dhe Republikën e Kosovës me aspiratën për të qenë pjesë e saj. Lidhja juaj emocionale me Kosovën, në veçanti me heroinat e Drenicës, na motivuan t’ju shpallim ‘Qytetare Nderi’ e Drenasit dhe Drenicës së Komandantit tonë legjendar Adem Jashari”, tha kryetari Lladrovci duke i dhuruar titullin “Qytetare Nderi e Komunës”, ministres Kodheli.

Pas përfundimit të seancës solemne, Kodheli bëri homazhe pranë varrit të dëshmorëve Fehmi e Xhevë Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit.