Mimoza Hafizi: Pse vendosa ta braktisi PS-në?

28.12.2016 09:18:14

?Bashkëthemeluesja e partisë LIBRA, Mimoza Hafizi e ftuar në “Studio e Hapur” ku tema e diskutimit ishte “Individi përballë kryetarit në politikë” ka treguar arsyet që e shtynë në krijimin e partisë së re dhe ndarjes nga Partia Socialiste.

Në emisionin e gazetares Eni Vasili, Hafizi u shpreh se mungesa e demokracisë dhe thyerja një nga një e rregullave brenda për brenda partisë, ishin motivet kryesore që e çuan atë dhe ish-deputetin e PS-së, Blushi të reagonin duke hapur një parti të re.

Sipas Mimoza Hafizit, LIBRA nuk do të trashëgojë asnjë cilësi të partive të vjetra.

“Partitë e reja që po krijohen janë shprehje e etjes për demokraci. Pasi këto parti nuk lënë shteg për demokraci brenda partisë. LIBRA si parti e re ka lindur në dy faza: ajo e reaksionit, shkëputje nga PS e dy deputetëve, ne reaguam kundër mungesës së demokracisë. Këto rregulla të shkruara në statutin e PS, u thyen një nga një. Ne kishim një betejë konkrete. Kjo ishte faza e parë. Kur ne e pamë dhe e treguam para të gjithëve se brenda PS nuk kishte shpresë funksionimi, u shkëputëm nga kjo parti dhe lindi LIBRA që inspiron të mos trashëgojë asnjë cilësi të këtyre partive të vjetra” tha Hafizi.