Ministrat e Kosovës e Shqipërisë diskutojnë hapat e krijimit të Tregun të përbashkët energjetik

03.10.2017 16:48:46

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, me bashkëpunëtorë ka qëndruar sot në Tiranë ku ka takuar Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, me të cilin ka bashkëbiseduar mbi hapat e deritashëm në kuadër të projektit të krijimit të tregut të përbashkët të energjisë elektrike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri Lluka vuri theksin tek perspektiva e bursës shqiptare të energjisë dhe përfshirja e Kosovës në të. “Diskutuam tregun e përbashkët, bursën shqiptare të energjisë, pjesë e të cilës do të jetë edhe Kosova. U angazhuam që grupet të jenë më aktive për intensifikimin e punës mes dy shteteve në drejtim të integrimit të dy tregjeve energjetike. Transmisioni i Kosovës do të jetë pjesë e bursës shqiptare në formë aksionari dhe grupi i punës do ti definojë më tej detajet”, u shpreh Lluka. ​

​Bursa Shqiptare e Energjisë do të shërbej në rritjen e qarkullimit, rritjen e konkurueshmërisë, si dhe do të përmbushë një nga kriterët që dalin nga masat e buta në kuadër të procesit të integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ministri Lluka vlerësoi se linja e transmetimit Kosovë-Shqipëri mbetet jo aktive për shkaqe politike. “Vjen për shkak të problemeve që ne kemi me Serbinë. Shqipëria do vazhdojë të na përkrahë në këtë drejtim. Kjo është mjaft e rëndësishme pasi anëtarësimi në Organizatën Evropiane të Operatorëve të Transmisionit i mundëson Kosovës përkatësisht KOSTT-it, që të pjesë e tregut rajonal dhe të përfitoj nga alokimi i kapaciteteve ndërkufitare”, sqaroi Lluka.

Nga ana e tij, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri

theksoi pas takimit se ishte një bashkëbisedim i frytshëm mes dy delegacioneve dhe që i

paraprin mbledhjes së përbashkët të qeverive.

“Kemi një punë të mirë të nisur tashmë me Kosovën për krijimin e tregut të përbashkët energjetik. Vendosëm të riaktivizojmë grupet e punës për ecjen përpara drejt unifikimit të tregjeve. U diskutua vazhdimi i procesit të krijimit të Bursës energjetike në Shqipëri dhe gatishmëria e Kosovës për të marrë pjesë në të”, nënvizoi Gjiknuri.

Më tej Gjiknuri tha se u diskutua edhe problemi i vënies në funksionim të linjës së interkoneksionit Shqipëri-Kosovë, një investim i rëndësishëm nga vende të Bashkimit Evropian, projekt në kuadër të interkonektivitetit dhe në thelb të integrimit të vendeve tona, i cili është kthyer në problem.

“Shqipëria do të luajë rolin e mbështetësit për këtë projekt, do të lobojmë fort të dy vendet që në çdo forum ku të jemi tua vëmë në dukje partnerëve evropianë se vënia në punë e kësaj linje është alfa dhe omega e çdo gjëje për integrimin energjitik të dy vendeve. Do të bëjmë gjithçka që kjo çështje të ngrihet në nivelet më të larta”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Dy ministrat u angazhuan për harmonizimin e mëtejshëm të veprimeve për vendosjen në funksionim të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes dy vendeve.​

​Gjatë takimit, delegacionet e të dyja vendeve u pajtuan që të riorganizohen Grupet Punuese për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë, caktimin e koordinatorëve në nivel politik që të nxisin procesin dhe përcaktimin e hapave ligjore për krijimin e Tregut të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri