Ministrat e PDK-së bojkotojnë mbledhjen antikushtetuese të Ramush Haradinajt

26.07.2019 09:21:29

Një javë pas dorëheqjes nga pozita e kryeministrit, Ramush Haradinaj ka ftuar për sot mbledhjen e Qeverisë. Ministrat e PDK-së nuk do të jenë prezentë në këtë mbledhje, ndonëse ftesës do t’i përgjigjen pozitivisht ministrat nga radhët e Nismës.  

Është bërë një javë e plotë prejse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit të Kosovës.

Ndonëse në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thuhet qartë se në momentin që kryeministri jep dorëheqje Qeveria bie, Haradinaj ka thirrur për sot mbledhje të Qeverisë në largim.

Por ndryshe prej herëve të tjera, në këtë takim nuk pritet të marrin pjesë ministrat që vijnë nga radhët e PDK-së

Disa prej ministrave që janë pjesë e PDK-së, partisë me të cilën deri më tash ka bashkëqeverisur Haradinaj, mospjesëmarrjen e tyre në mbledhjen e sotme e kanë arsyetuar duke thënë se nuk gjenden në Kosovë.

Ndërkohë njohësit e çështjeve juridike thonë se pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit Qeveria në largim nuk ka më kompetencë për të marrë asnjë vendim.