Ministri Avdullah Hoti, pas suksesit me financat e shtetit, garant për suksesin e Kosovës!

16.05.2017 13:16:15

Nga Rexhep Kastrati

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kandiduar ministrin e Financave, z. Avdullah Hoti për postin e kryeministrit të vendit, duke dëshmuar se brenda saj është konsoliduar tashmë një mënyrë demokratike dhe pozitive e përfaqësimit të saj, si dhe përkushtimi për qeverisje të përgjeshme, për zhvillim ekonomik dhe për të qëndruar fort në aleancën me demokracitë perëndimore, ashtu siç ka dëshmuar edhe gjatë mandatit të ndërprerë qeverisës.

Avdullah Hoti nuk është emër i panjohur për mbështetësit e LDK-së, jo vetëm për faktin se ka qenë ministër i Financave dhe vazhdon të jetë ende në këtë pozitë, por edhe për faktin se është një ndër ministrat më aktivë, një ndër personalitetet më me integritet në radhët e LDK-së, duke dëshmuar kompetencë profesionale, përgjegjshmëri institucionale, përkushtim dhe vendosmëri për stabilizuar financat e vendit, për ta bërë buxhetin çështje e ligjit e jo e pazareve të ndryshme edhe elektorale, për të inicuar dhe për të çuar përpara reformat substanciale në fushën fiskale, të ndarjes së drejtë buxhetore, të krijimi të lehtësirave ekonomike që kanë qenë pjesë e kompetencave të ministrisë së Financave, për të forcuar dhe avancuar marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare të financave, siç është FMN, BERZH etj., e të cilat kanë vlerësuar tepër shumë punën e bërë nga ministria e Financave nën drejtimin e tij, e që kanë shërbyer si argumente për ta përfshirë Kosovën në projekte të ndryshme ndrëkombëtare për përfitime të granteve të ndryshme financiare.

Modeli që ka shpërfaqur Avdullah Hoti si ministër i Financave, është modeli i një qeverisjeje të përgjegjshme, profesionale, dhe në të mirë të zhvillimit ekonomik, që e ka shpërfaqur Qeveria nën drejtimin e kryeministrit Mustafa. Avdullah Hoti, ka qenë një ndër personalitetet e rëndësishme që kanë punuar në Planin për Zhvillim Ekonomik që për herë të parë është hartuar dhe miratuar në vendintonë. Dhe ky model i menaxhimit të financave, ashtu sikurse në tërë modeli qeverisës së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Mustafa, është model krejt ndryshe nga modeli i mëparshëm, e të cilin e kanë vërejtur edhe qytetarët, edhe bizneset, edhe aleatët tanë strategjikë dhe në përgjithësi aleatët tanë dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Prandaj, Avdullah Hoti, me gjithë këto dhe shumë arsye të tjera është personaliteti i përshtatshëm, është garant i një thellimi të qeverisjes së mirë, i qeverisjes së përgjegjshme dhe në funskion të fuqizimit të shtetit, të zhvillimit ekonomik dhe të forcimit të aleancës me demokracitë perëndimore.

Natyrisht në personalitetin dhe në profilin e tij, Avdullah Hoti është i veçantë në gjithë listën e atyre që pretendojnë të marrin postin e kryeministrit dhe të drejtimit të Qeverisë, e së këndejmi edhe çdo krahasim me të tjerët është i pavend dhe i padinjitetshëm, për faktin se nuk ka proflin e drejtuesit të ndonjë organizate që akuzohet për krime ndaj shqiptarëve, as të ndonjë profili që u vë bizneseve haraç, as profilin e atyre që ua vënë zjarrin institucioneve të shtetit dhe që krëcënojnë me luftë vëllavrasëse.

Avdullah Hoti është oferta e LDK-së për konsolidim të shtetit, për zhvillim ekonomik, për përgjegjshmëri qeverisëse, për vazhdim të orientimit euro-atlantik të Kosovës dhe për forcim të imazhit dhe të pozitës ndërkombëtare të saj.